David Stoilkovski tha se vizatimi është një mënyrë jetese, dhe arti i rrugës është liri e pafund
Kur bëhet fjalë për art rrugor, ndodh të ketë përplasje mendimesh. Disa e mendojnë si vandalizëm, disa vepër arti të gjallë. Ndërkaq, krijuesit e artit rrugor e quajnë dhuratë nga ana e artistit ndaj qytetit, bukuria e të cilit i josh njerëzit të ndajnë të paktën një moment nga përditshmëria e tyre dhe ta shijojnë atë.
“Arti i rrugës është një galeri nën qiellin e hapur, çdo ditë mund të shkosh dhe ta shohësh”, me këto fjalë një nga krijuesit e saj, David Stoilkovski (25) nga Kumanova, u përpoq të kapte veçantinë e artit të rrugës, duke treguar historinë e hyrjes në botën e tij, përmes vizatimit të muraleve.
Vendosja e gjallërisë në grinë urbane
Duke marrë parasysh se pikërisht arti rrugor mungon në rrugë, Stoilkovski krijon një vizion që ta kthejë dhe ta afrojë me njerëzit. Fillimisht filloi duke ‘vizatuar’ murale në qytetin ku jeton, e më pas ka vizatuar edhe në qytete të tjera në territorin e Maqedonisë së Veriut, si dhe jashtë kufijve të vendit gjatë një udhëtimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
“Para së gjithash mendoj se atë grinë e mbetur nga e kaluara, duhet ta mbulojmë me diçka të bukur dhe ne që vizatojmë menduam se po të fillojmë me gjëra pak më serioze, do ta afrojmë qytetin tonë dhe Maqedoninë në përgjithësi me disa qytete të tjera evropiane me murale, grafite. Gjithmonë diçka ndodh, kudo që kthehesh, ka diçka të vizatuar”, theksoi Stoilkovski.
Proces etapor
Stoilovski thekson se për një mural nevojitet shumë kohë dhe durim, meqë vizatimi në qiell të hapur do të thotë edhe luftë me natyrën dhe kushtet klimatike, por se e adhuron procesin, sepse gjithmonë gjen mënyrë që vizionin e tij në mënyrë perfekte ta përshtatë në hapësirën ku do të vizatohet.
“Mënyra ime e vizatimit të muraleve është (së pari) fotografimi i inserteve, njerëzve nga mjedisi ynë këtu, pastaj në tabletë i lidh me murin, shoh se si do të duket, shtoj diçka, nxjerr diçka nga fotografia. Ja këtu mund të shihet ndonjë përsëritje e vajzës që është në sfond. Ky është stili im, këtë dua ta prezantoj”, tha Stoilkovski.
“Arti është i pashtershëm”
Stoilovski shtoi se nuk ka kënaqësi më të madhe për një artist që qëllimi dhe porosia e tij të përcillen me sukses deri te publiku, që njëherësh është edhe motivim i madh për artistët e tjerë të rinj që të vazhdojnë ta kultivojnë artin në format e hershme dhe të mos lejojnë që ai të vdesë, shkruan Anadolu Agency.
“(Arti i rrugës) Është një gjë e pashtershme në një shoqëri. Në çdo cep mund të shihet se dikush është nënshkruar, se diçka ka vizatuar. Dua të them se duhet t’i mbështesin artistët e rinj, njerëzit që jetojnë këtu dhe përfundimisht të hapet ajo dritare se ne asgjë të keqe nuk bëjmë, se vetëm gjëra të mira bëjmë për këtë shoqëri”, porositi Stoilkovski.