Gjergj Kastrioti- Skënderbeu lindi më 6 maj 1405, ndërsa ka vdekur më 17 janar 1468, përcjell InLajmi.
I njohur si Skënderbeu ai ishte një feudal dhe udhëheqës ushtarak arbër, që në fillesë luftoi për Perandorinë Osmane dhe më pas drejtoi një kryengritje kundër saj.
Një anëtar i familjes fisnike të Kastriotëve, ai u dërgua si peng në oborrin perandorak osman, ku u arsimua dhe hyri në shërbim të sulltanit për 20 vitet e ardhshme. U ngrit sipas gradave duke u bërë deri sanxhakbej i Sanxhakut të Dibrës në vitin 1440.
Më 1443 dezertoi nga ushtria osmane gjatë betejës së Nishit dhe u bë sundimtar i Krujës, në një territor nga Petrela dhe Modriçit. Në vitin 1444 themeloi Lidhjen e Lezhës me mbështetjen e fisnikërisë bashkëkohëse.
Në vitin 1451 nënshkroi traktatin e Gaetës, ku njohu sovranitetin de jure të Mbretërisë së Napolit mbi Arbërinë, duke siguruar një aleancë mbrojtëse, edhe pse mbeti një sundimtar de facto i pavarur.
Në vitet 1460–61 mbështeti Ferdinandin I të Napolit në luftërat kundër Gjonit II të Anzhuinëve. Në vitin 1463 u bë komandanti kryesor i forcave kryqtare të papa Piut II, por papa vdiq ndërsa ushtritë ende po mblidheshin.
Së bashku me venedikasit luftoi kundër osmanëve gjatë Luftës osmano–venedikase të viteve 1463–79, deri në vdekjen e tij në janar të vitit 1468.
Mbahet ndër komandantët më të rëndësishëm të historisë ushtarake të kohës së tij, si më këmbëngulësi dhe përherë fitimtari, kundër Perandorisë Osmane në kulmin e saj.
Figura e tij nuk dihet nëse vijoi të celebrohej ndër trevat shqiptare përveçse me ndonjë këngë, por u bë një figurë qëndrore e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare gjatë shekullit 19, si pasojë nderohet nga shqiptarët me monumente dhe vepra kulturore në të gjithë trevat shqiptare.
Aftësitë ushtarake të Skënderbeut përbënin një pengesë të madhe për zgjerimin osman, dhe u konsiderua nga shumë njerëz në Evropën Perëndimore si një model i rezistencës së krishterë ndaj myslimanëve. /InLajmi/