– Protestoj… Sa herë që ETNIKU, ndalet të pi ujë tek krojet e Shatërvanit, menjëherë e thërrasin MULTIETNIK!
– Prizreni ndër histori. Afro 500 vite turku, mbi 80 vite serbi, disa dekada komunistat, tani edhe allamanët. Shqiptarët, ende po e presin shansin e tyre.
– Çfarë romantizmi? Për çdo mbrëmje takohen dhe kuvendojnë, në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Shpresa me Ymydin dhe Sabërlija, me Durimin.
– Sa mirë. Prizrenasit fare nuk janë l o k a l i s t a. Natyrisht, në Prizren ka filluar qarkullimi i autobusit lokal?
– Matematikë e thjeshtë! Në Prizren më shumë ka shqiptarë se shqipfolës, ndërsa më pak turq, se turkfolës!…
– Haxhi Sheqer Efendia nga lagja Tabakhane, shkoi si mësit i Limon Agës, djalit të Haxhi Shurup Efendisë, ta kërkojë dorën e Trëndafile Hanëmit, vajzës së Haxhi Bardak esnaf Qeshmexhisë, në lagjen Lakuriq.
– “Ne jemi prizrenas den baba den”… Gjithnjë krenohen: Xhimshit Kurshumlia, Ibo Mamusha, Lom Hasjani, Rrem Gjakova, Zaim Podrimja, Xhem Krusha, Demir Opoja, Din Peja, Him Rogova, Xajë Karadaku…
– Pasi i pinë kafet e mëngjesit, Fetah Shamixhia, shkoi të paguante strujën, Hasan Qyli rrymën, kurse Shaqë Kuksjani dritat.
– E vërtetë është…Në Prizrenin e lashtë dhe të bukur, jetojnë mbi 250 mijë banorë dhe afro 30 mijë prizrenas…
– Interesant! Edhe pse kam lindur dhe jetoj në Prizren, ende më thërrasin g j a k o v a l i?
– Ende nuk e kam të qartë? Pse aq shumë po urrehen, banorët e lagjes “HAVALE” dhe ata të lagjës, “LAKURIQ”?!
– Si u bashkuan; patatja, domatja, trangulli, karrota, shalqini… menjëherë i filluan protestat; kompiri, patligjani, kastraveci, shangarepa, bostani, etj.
– Flet shqip, je qyli. Flet turqisht, je kasabali,. Kur do të bëhemi të gjithë qytetarë…?
– Sa u kam lakmi ulqinakëve. Afro një shekull po e ruajnë dhe po kujdesen për eshtrat dhe varrin e të madhit Ymer Prizreni. Pse jo, kur prizrenasit, nuk po kanë para, që t’ia paguajnë biletën e kthimit në vendlindje./InLajmi/