Haliti, fqiu im i tretë nga e djathta, ka kohë që i kishte kaluar të gjashtëdhjetat. Ishte njeri i urtë dhe punëtor i madh. Tërë ditën endej me një biçikletë, që ta furnizoj shtëpinë me artikuj të ndryshëm ushqimor, me pemë e perime. Besa, gjatë dimrit na ndihmonte edhe neve fqinjëve që të blejmë dru për ngrohje, sepse ai kishte dell për pazar si dhe i njihte drutë që ngrohin dhe digjen mirë, që bëjnë prush. Edhe pse mbante syze me dioptri të madhe si dhe një aparat dëgjim në vesh, ai ishte vital, i gjindshëm dhe i shpejtë. Mirëpo, ka disa vite që në shpirtin e tij, nuk e linte të qetë një dëshirë, një ëndërr!…
– O bre, kojshi. Ishalla nuk vdes, pa e pa veten me limuzinë.
– Harroje këtë xha Halit. – Mundohesha ta ftohi nga kjo dëshirë. – Çka po të nevojitet sot limuzina, kur rrugët i kemi të stërngarkuara me komunikacion. Tek e fundit, ti e ke biçikletën, pastaj po e sheh, sot në çdo hap po na presin nga pesë-gjashtë autotaxi.
– Po kam qejf bre kojshi. Meqë jam mirë me shëndet, kam shtëpi, familje dhe para, pse mos të kem edhe një automobil?
– Qejfi është qejf por, në këtë moshë të vozitesh me automobil…

– O, kojshi, nuk jam plakur shumë. Me këto mend dhe me këtë moshë, do të mund ti fitoj dy mandate në Parlemantin tonë.
– Xha Halit. Duke u bazuar në realitetin e sotëm kosovar, më lehtë është të jesh në fotele, apo në foltore se në automobil. – I thashë disi pa dorëza.
– Eh, me ty jam edhe unë. Prandaj, po kam dëshirë me e sprovu veten edhe si shofer.
I ndjekur nga kjo dëshirë apo ëndërr, Haliti një kohë të gjatë e kishte lutur djalin e vet Sylën që t’ia dërgoj një xhip “Frontera” nga Zvicra. Pse jo. Sot, kur çdo njeri ka blerë dhe vozitet automobil, pse mos ta bën një gjë të tillë ai.
Një ditë, derisa e shfletoja gazetën në balkon, dëgjova zhurmën e një automobili dhe pashë një re të dendur pluhuri. “Mos vallë ka ardhë Shumaheri me ferarin e tij në mesin tonë”?! Thash me vete dhe vrap dola deri tek dera e oborrit. Më bëhej se të gjithë banorët e lagjes ishin ngritur në këmbë dhe kishin dalë përjashta. “Haliti, është Haliti, me xhipin e tij” I dëgjova disa fqinjë që flisnin me zë të shterrur nga pluhuri.
Kaluan disa javë që nuk e kisha pa, xha Halitin. Kisha mallë të rri dhe të pi me te një gote birrë, sepse i kishte shumë në qejf birrat e Pejës. Mirëpo, ai tani ishte shumë i zënë me xhipin e tij.
Pasi, i kisha bërë disa analiza dhe duhej ti prisja rezultatet, ndeza një cigare në oborrin e spitalit, kur u dëgjua autoambulanca që erdhi me një shpejtësi të madhe. Disa qytetarë që ishin afër meje flisnin se e kishin sjellë një vozitës me kokë të përgjakur dhe me dy këmbë të thyera. U afrova deri tek autoambulanca dhe…Obobo, ishte fqinji im Haliti.
– Si jeni lënduar kështu zotëri, e pyeti mjeku kujdestar i cili e priste vikun që ta bartin të aksidentuarin deri në urgjencë.
– Nuk di bre doktor… Isha duke vozitur… kur më doli përpara shtylla elektrike. Fliste me ndërprerje fqinji im.
– Shtylla ju doli para? – E pyeti sërish mjeku.
– Doktor, shtyllën e kalova disi, pasi e ndava përgjysmë, por… kur erdha në kthesën e parë, nuk pata qare pa u ndalë!…
– Si u ndalët, zotëri. – Insistonte mjeku të kuptoj diç më shumë.
– Nuk di. Por e pashë… kur më ra përmbi automobil… muri i shtëpisë i një komshie!…
Pasi e futën menjëherë në urgjencë, unë duke ndi dhimbje për te, vrapova deri në shtëpi që ta shikoj murrin e oborrit tim. Në hyrje të lagjes e pashë profesor Deliun dhe gruan e tij, zonjën Hanëmshahe, që kishin hypyr mbi xhipin e shkatërruar “Frontiera”, duke i numëruar tullat të cilat i kishte nxjerr nga vendi fqinji, ynë Haliti! Osman Goranci