Në një dyqan, në lagjen time punon Luc Lucani, të cilin e kam pasur shok fëmijërie dhe shkolle. Ka qenë nxënës tepër i zgjuar, mirëpo, për fat të keq, për shkak të kushteve mjaft të vështira materiale, në vend që t’ia mësyej ndonjë fakulteti, u detyrua të inkuadrohet si shitës në dyqan. Për një kohë të shkurtër ndërtoi shtëpi të re. E regulloi standardin, e më pas filloi t’i ndërrojë automobilat, dy tri herë gjatë një viti, të shkoj në pushime.
Edhe pse puna i shkonte mirë dhe njihej si ndër shitësit më të talentuar dhe më të pasur në qytet, te Luci filloi të bulëzojë një dashuri e re. Në të vërtetë, kishte dëshirë të madhe që të bëhet edhe aktor teatri, të luaj në skenë. Disa herë ai u paraqit në audicionet që i organizoi teatri amator i qytetit, por nga regjisorët dhe komisionet, assesi nuk merrte notë kaluese.
– Më duket se ma kanë inatin, për ndryeshe nuk do ta kishin refuzuar një talent të kalibrit tim!” – më thoshte Luci, sa herë që interesohesha për rezultatin e ndonjë audicioni.
– Ndoshta duhet të punosh edhe më shumë. Mendoj se ke nevojë të shfletosh literaturën nga bota e teatrit, të përcjellësh shfaqjet teatrale në qytet, në televizor dhe gjetiu. – Mundohesha disi që ta ngushëlloj dhe njëkohësisht edhe ta këshilloj.
– Pse nuk bazohen pak në dashurinë time për teatër, në talentin tim, por gjithëherë më thonë se nuk jam për skenë. Kurse nga ana tjetër, po i marrin disa aktor, që nuk i afrohen kualiteteve të e mia.
– Gabon, Luc, nëse mendon ashtu!…
-Atëherë, më thuaj shoki, sikur mos të isha i talentuar, nuk do ti kisha dy banesa, shtëpi me bazen, me ngrohje qendrore, dhe nuk do ta shetisja botën. Pastaj, nuk do të kisha “Ascon”, ”Audi” dhe “Mercedes” të bardhë. Dhe, fal faktit se di të aktroj, inspektorët komunal, fare nuk kanë “kohë” të më vizitojnë. – Më përgjigjej Luci.
Sa herë që takoheshim e përsëritnim këtë temë. Nuk di si, por kaloi një kohë që kur nuk isha takuar me shokun tim të fëmijërisë Lucin. Në shtator filloi sezoni i ri në teatrin e qytetit dhe një ditë, derisa drekoja, cingërroi telefoni!
– Alo, a po më dëgjon shoki? – Ishte zëri i Lucit, i cili dukej se mezi merrte frymë.
– Luc, çka ka ndodhur. Mos vallë, ta kanë mbyllur dyqanin, apo ke fituar në llotari? – E pyeta disi i frikësuar.
– Jo, jo, nuk kam asgjë. Por vetëm deshta të tregoj se më në fund më pranuan në teatër.
– Më vjen mirë, dhe shumë po gëzohem për ty. Më në fund, pas shumë peripetive, ia dole, ngadhnjeu dashuria e madhe që ke për teatër. Pa më thuaj Luc, a të kanë ndarë ndonjë rol?
– Po, rolin kryesor, – m’u përgjigj Luci.
– Rolin kryesor!?
– Po, po, shoki. Pa mua nuk mund të filloj shfaqja.
– Çudi!
– Alo, pse po çuditesh? Të thashë më parë se pa mua nuk mund të fillojë shfaqja, sepse kam një rol shumë i rëndësishëm. Kam për detyrë të rri te dera dhe t’i shqyej biletat. – Më tha Luci me një entuziazëm të papërshkruar, dhe e lëshoi receptorin!…