Bukuria, e bija e gjashtë i haxhi Idriz Papuqexhisë nga Terzimahalla, ishte manekene e vërtetë. Nuk kishte vajzë në lagjen time, e as në qytet që mund t’ia kalonte asaj për nga bukuria.
Ajo në çdo element ishte manekene…
Sa herë që ndalej të pi ujë tek krojet e Shadërvanit shndërrite i tërrë qyteti. Esnafët dhe kallfët, me të shpejtë dilnin para dyqaneve të tyre që ta shikojnë këtë lule Xhehneti.
Kalimtarët e rastit duke i vjedhur tinëza çdo lëvizje të saj, binin në ndonjë shahtë kanalizimi, “putheshin” me ndonjë shtyllë elektrike apo vitrinë dyqani.
Vaj halli për ata qytetarë që në ato momente gjendeshin mbi urën e gurit, sepse atë ditë mjeku në shërbimin urgjent, kishte mjaft punë!…

Një ditë, duke ecën Bukuria nëpër Tabakhane, efendi Mexhit hoxhës, i cili ishte duke e thirrë jacinë në minare nga hutia i ranë protezat e dhëmbëve, mu në kokën e një kalimtari i cili disa muaj qëndroi në spital. Një shofer i huaj, me një maune përplot mallra, u fut në oborrin e Zeqo efendisë, ndërsa Sylë hasjanit i cili ishte duke e përcjellë Bukurijen që kalonte afër furrës së tij, në një moment iu bënë shkrum 300 bukë dhe 500 samuna të ramazanit.
Kahdo që kalonte, bëhej rrëmujë!…
Bukuria ishte termet i gjallë. Gratë e shkreta, gjithnjë fjaloseshin me burrat e tyre. Sanije hanmi desh e mbyti Ramadan efendi bashqexhinë duke ia përvëluar çajin me varikin. Haxhi Abdulmexhiti e pat shitur mullirin për Bukurien, ndërsa Demir aga, u nda nga gruaja e tij Igballe hanmi. Një ditë vere, deri sa Gjymshit bunari, me kujdes pastronte pusin në oborrin e Ibish opojarit, në moment i shkoi mendja tek ajo!… I gjori, tani ecën vetëm me ndihmën e karrocës.
Rasti më tragjik ishte i rahmetli Zenun ollukxhisë, i cili një ditë pranvere, duke i riparuar olluqet në kulmin e shtëpisë së Rifat efendi briskaxhisë, ndalet për pak çaste ta shikoj Bukurien, derisa ishte duke
rrugës dhe ra pingul me kokë në kalldërmat e Bazhdarhanes!… Rahmet i pastë shpirti.
Interesant! Qysh në moshën 18 vjeçare, Bukuria lindi një vajzë bionde. Një vit pas, lindi edhe një zeshkane. Në moshën 20 vjeçare, ajo, lindi edhe një djalë, pastaj një vajzë, një djalë!…
Po, po, deri në moshën 25 vjeçare, Bukuria 7 herë u bë nënë edhe pse, të gjithë ishim të sigurt se ajo, kurr nuk ishte martuar?
Çudi! Një kohë të gjatë më brente pyetja se kush mund të jetë babai i gjithë këtyre fëmijëve të saj, që po mbijnë si këpurdhat pas shiut. Kështu, një ditë nga një mik i imi e zgjidha këtë misteri?…
Ajo ishte shumë e heshtur, e kishte adet të flas pak dhe memzi i dilnin fjalët nga goja. Dhe, sa herë që iu vardiseshin meshkujt, derisa Bukuria u thoshte: “Jjjjjooooo, apo mmmmooooss, e pat puna!…
Pas 9 muajve vinte në jetë një foshnje.