Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, është deklaruar rreth ngërçit në Kuvend, duke thënë se kjo parti ‘‘nuk bëhet pjesë e një mashtrimi politik që synon të mbajë vendin në peng për interesa të ngushta partiake’’,
Në postimin e saj, Bajrami ka thënë edhe se, për të arritur shumicën në Kuvend janë dy mënyra, ose me votat e qytetarëve ose me marrëveshje politike, ku, VV-ja, siç ka potencuar deputetja e LDK’së, të parën nuk e ka arritur, kurse të dytën me marrëveshje politike VV-ja ‘’s’po e don’’.
Bajrami, ka deklaruar edhe se insistimi i LVV-së në kandidaturën e Albulena Haxhiut, për të parën e Kuvendit, është shpërfillje e realitetit parlamentar që po bllokon me vetëdije konstituimin e Kuvendit, dhe se, përmes kësaj, ata po tregojnë mungesë të vullnetit për t’i shërbyer vendit.
‘‘Kriza institucionale e shkaktuar nga LVV po dëmton ekonominë, po pengon zhvillimin, po thellon izolimin ndërkombëtar dhe po neglizhon secilin problem me të cilin sot përballen qytetarët’’, ka shkruar ajo, shkruan Gazeta Express.
Tutje, deputetja e LDK-së, ka thënë se vendi meriton institucione funksionale, dialog politik dhe qeveri të përgjegjshme.
