Kryeministri i vendit, Albin Kurti po vazhdon të qëndrojë jashtë vendit, gjegjësisht po merr pjesë në Festivalin e Cannes, përcjell InLajmi.
Këtë, ai e ka bërë me dije së fundmi përmes një postimi, gjegjësisht fotografive që ka postuar, ku mes tjerash shihet me gruan dhe vajzën.
Kurti, tutje ka treguar edhe për rëndësinë e këtij Festivali, ndërkaq ka njoftuar se komiteti selektues i Festivalit të Cannes sivjet i ka përzgjedhur 10 sosh.
Në mesin e tyre është edhe filmi nga Kosova “Pa vend” i regjisorit Samir Karahoda i cili sot mori duartrokitje të gjata nga publiku këtu në sallën Debussy në Cannes.
Ndryshe, derisa ai po shijon çdo moment në takime jashtë vendit, dhe në këtë rast në Festivalin e Cannes, opozita tërë kohën po drejton kritika në drejtim të tij.

Postimi i plotë i tij:
Nga 3.739 filma të metrazhit të shkurtër nga mbarë bota komiteti selektues i Festivalit të Cannes sivjet i ka përzgjedhur 10 sosh. Në mesin e tyre është edhe filmi nga Kosova “Pa vend” i regjisorit Samir Karahoda i cili sot mori duartrokitje të gjata nga publiku këtu në sallën Debussy në Cannes. Ishte kjo premiera botërore e këtij filmi kurse në fillim të muajit gusht ai do të shfaqet në Festivalin Dokufest në Prizren. Urojmë që nesër mbrëma në ceremoninë përmbyllëse të edicionit 74 kur shpallen fituesit e Palmës së Artë të këtij festivali prestigjioz të ngadhënjejë filmi ynë. Këtu është shfaqur edhe një film tjetër nga Kosova, artistik e i metrazhit të gjatë, “Luaneshat e Kodrës”, i regjisores së re Luàna Bajrami, i cili garon për Kamerën e Artë.
Mbështetja e qeverisë së Kosovës për filmin tonë do të rritet ndjeshëm për vitet në vijim, sepse në këtë fushë arti e kulture po shpërthejnë talentet tona e po na bëjnë krenarë në arenën ndërkombëtare./InLajmi/