Kenia ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës, pas lobimit të Behgjet Pacollit, duke shënuar një moment historik për vendin tonë.
Pas vendimit, kryeministri Albin Kurti përmes një postimi në rrjetin social X, ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë me presidentin e Kenias, William Ruto, pas këtij vendimi të rëndësishëm.
“Pata kënaqësinë të flisja me Presidentin William Ruto pas këtij momenti historik. Ftuam njëri-tjetrin për vizita zyrtare dhe ramë dakord që hapi tjetër të jetë vendosja e marrëdhënieve diplomatike”, ka shkruar ai.
Po ashtu, Kurti ka theksuar se e ka ftuar Kenian të hapë një ambasadë në Prishtinë dhe ka vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Dy vendet tona ndajnë një histori sakrificash të mëdha për liri dhe pavarësi. Pres me padurim thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit tonë në kulturë, tregti dhe investime”, ka përfunduar kryeministri.