Sot nis faza e “Play-offit”, garë ku do të vendoset edhe për kampionin e ri të Kosovës në basketboll.
Priten ndeshje tejet interesante, ku publiku në tribuna dhe tifozët pranë ekraneve televizive do të përjetojnë kënaqësi maksimale, nga faza çerekfinale e deri në finale.
Në këtë garë si e para hyn Trepça, me 25 fitore e tri humbje.
E dyta u rendit Peja, me 19 fitore e nëntë humbje janë kualifikuar direkt në gjysmëfinale.
Mitrovicasit kanë fituar Kupën, Superkupën dhe Ligën Unike, duke kërkuar trofeun e katërt për këtë edicion, derisa pejanët duan të mbrojnë titullin e kampionit.
Në çerekfinalen e parë, përballë njëri-tjetrit do të luajnë Golden Eagle Ylli dhe Bashkimi.
Therandasit që përfunduan në vendin e 3-të me 19 fitore e nëntë humbje duan gjysmëfinalen, derisa përballë kanë prizrenasit që u renditën në vendin e gjashtë me 11 fitore e 17 humbje.
Duel tjetër, tejet interesant pritet të jetë ai në mes të Sigal Prishtinës dhe Vëllaznimit, që zunë pozitat katër dhe pestë në renditjen tabelare.
Prishtinasit e përfunduan edicionin e rregullt me 16 fitore e 12 humbje, kurse kuqezinjtë me 13 fitore e 15 humbje.
Skuadra që shënon 2 fitore kualifikohet në gjysmëfinale, shkruan Sinjali.
Në gjysmëfinale, skuadra që shënon 3 fitore kualifikohet në finale, derisa kampion shpallet skuadra me 3 fitore.