Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në konferencën përmbyllëse të Programit kosovaro-zviceran për ujësjellës dhe kanalizim në zonat rurale tha se qasja në ujë të pastër dhe në objektet sanitare e higjienike është e drejtë fundamentale e njeriut, përcjell InLajmi.
Kurti tha se kjo qasje në ujë të pastër është shtyllë kritike për reduktimin e pabarazive të përgjithshme duke thesuar se nuk mund të flitet për mirëqenie, zhvillim ekonomik e as për zhvillim të sektorit të bujqësisë, pa i siguruar këto 2 shtylla.
Siç kryeministrit Kurti, projekti i përbashkët ka mundësuar ndërtimin e sistemeve moderne të ujësjellësit në 280 fshatra të shtrira në 27 komuna të Kosovës, si dhe rehabilitimin e sistemeve të ujësjellësit në 170 fshatra të tjera, e që më pas janë integruar në menaxhim të kompanive rajonale të ujit. Nga ky projekt llogaritet se kanë përfituar 600 mijë banorë.
‘’Falë ndihmës së pakursyer të shtetit zviceran në realizimin e këtij projekti, sot mbulueshmëria e qasjes në ujë të pijes ka arritur afërsisht 92%, e ku 87% do të jetë nën menaxhimin e kompanive rajonale të ujit’’, tha kryeministri Kurti.
Në anën tjetër, 17.600 banorë kanë përfituar nga ndërtimi i rrjetit të kanalizimit me paratrajtim (pra, kolektorë dhe gropa septike), ndërsa për 5 fshatra me gjithsej 5.500 banorë, janë ndërtuar impiante të veçanta për trajtimin e ujërave të ndotura, përfshirë këtu fshatin Orllan, përmes së cilit mbrohet nga ndotja liqeni i Batllavës, i cili furnizon me ujë të pijes 95% të Besianës dhe 45% të Prishtinës.
Sa u përket minoriteteve, kryeministri Kurti theksoi se nga programi në tërësi kanë përfituar rreth 20 mijë banorë, që do të thotë se afërsisht 80% të minoriteve kanë qasje në ujë të pijshëm, duke mos llogaritur veriun dhe Komunën e Shtërpcës.
Pas 16 viteve mbështetje, Qeveria e Zvicrës ka përmbyllur investimet në infrastrukturë të ujit për të kaluar në mbështetje teknike në menaxhim të burimeve ujore dhe fushave përkatëse.
‘’Në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës, kryeministri Kurti falënderoi dhe shpreh mirënjohjen për përkrahjen e Konfederatës Zvicerane dhe për kontributin e pakontestuar që ka dhënë kjo përkrahje në këtë arritje. Unë si kryeministër dhe qeveria jonë jemi të përkushtuar që ta finalizojmë këtë projekt dhe të përmbushim pritjet e qytetarëve tanë’’, tha ai./InLajmi/