Kandidati i Vetëvendosjes për Prishtinën, Arben Vitia, ka thënë se kryetari aktual Shpend Ahmeti që dikur ishte bashkëpartiak i tij ka bërë punë shumë më të mirë në mandatin e tij të parë.
Ai këtë gjë e ndërlidh me strukturën e partisë dhe faktin se Shpend Ahmeti vazhdoi të jetë kryetar i Prishtinës në mandatin e tij të dytë duke mos qenë më pjesë e Vetëvendosjes.
“Me Shpendin njihemi moti. Është sekret publik që angazhimi dhe puna në Komunën e Prishtinës në mandatin e parë ka qenë një angazhim dhe punë shumë më dinamike dhe proaktive dhe me më shumë rezultate sesa në mandatin e dytë. Këtë e tregojnë rezultatet në terren, p.sh nga 12 premtimet e bëra në vitin 2013 11 nga to janë realizuar, kurse në pjesën tjetër ka pasë ngecje fatkeqësisht. Kjo tregon edhe që në një anë është shumë e rëndësishme që kryetari të jetë proaktiv dhe të punojë e të jetë i përkushtuar maksimalisht vetëm në detyrën që ai e bën, por në anën tjetër tregon edhe aktivizmin dhe punën që ka edhe struktura – në këtë rast dallimi mes Lëvizjes Vetëvendosje nga viti 2013 në vitin 2017 dhe pastaj kjo pjesa tjetër që është e domosdoshme për t’i shtyrë projektet përpara”, deklaroi ai në Rubikon të Klan Kosovës.
Pse qytetarët duhet t’i besojnë kandidatit të Vetëvendosjes në Prishtinë, kur është provuar qeverisja e kësaj partie për dy mandate me Shpend Ahmetin që u kandidua dy herë nga Vetëvendosja?
“Përgjigja është shumë e thjeshtë. Mandati i Shpend Ahmetit, kryetarit aktual në Prishtinë, nga dhjetori i vitit 2013 deri në fund të vitit 2016 dhe fillim të vitit 2017 ka qenë qeverisje shumë aktive dhe e afërt me qytetarin, por që natyrisht nuk është vetëm problemi i kryetarit sepse është edhe struktura që e mundëson afërsinë me qytetarin. Unë edhe si drejtor i shëndetësisë sa kam qenë një pjesë të madhe të problemeve nga qytetarët kanë ardhur përmes strukturës ku pavarësisht që një pjesë e madhe e gjërave që s’janë premtuar për shëndetësi dhe mirëqenie sociale janë realizuar për shkak të proaktivitetit tim si drejtor me përkrahjen e Shpend Ahmetit, mirëpo edhe nga problemet e ngritura nga struktura e Lëvizjes Vetëvendosje dhe nga kontakti që s’e kemi humbur kurrë me qytetarët”.