Policia e Berlinit ka njoftuar se të shtunën janë arrestuar 13 gazetarë, ndërsa po raportonin për një protestë të ambientalistëve kundër ndërtimit të një autostrade në kryeqytetin gjerman, transmeton InLajmi.
Sipas zëdhënsit të policisë Martin Halweg, gazetarët kanë hyrë brenda pjesës së ndërtimit për të raportuar, prandaj janë cilësuar si pjesmarrës të protestës.
“Ata hynë brenda së bashku me aktivistët, kështu që ne i trajtuam ata si pjesëmarrës në protestë,” është shprehur Halweg.
Përderisa të 13 gazetarët vazhdojnë të jenë nën arrest dhe po hetohen si të dyshuar për shkelje në vend ndërtim, shefi ekzekutiv i Sindikatës së gazetarëve në Berlin, Joerg Reichelt ka akuzuar policinë për ndalimin e gazetarëve për të kryer punën e tyre.
Sipas agjencisë së lajmeve Washington Post, në protestën kundër ndërtimit morën pjesë rreth 300 persona, të cilët thonë se ndërtimi i autostradave të reja në Berlin dhe pjesë të tjera të vendit po ulin përpjekjet e Gjermanisë për të frenuar emetimet e gazrave.
Ambientalistët po ashtu kanë argumentuar se miliarda euro të përdorura për rrugë mund të shfrytëzohen për infrastrukturë më miqësore me klimën, siç janë hekurudhat./InLajmi/