Shkruan Osman GORANCI
– Çfarë gazetari më je ti ore jaran, kur sillesh, pa tilifon mobil? – Më kritikoi një ditë fqinji im Sylë Dardha, të cilin afro dhjetë minuta e prita që ta kryej bisedën me mobil me një mik të tij, mu para derës së garazhit tim.
– T’ju them të drejtën zoti Sylë, për shkak të standardit tim, mua më shumë më pëlqejnë telefonat fiks. Ju kisha lutur të lëvizni vetëm dy hapa djathtas se dua ta nxjerr golfin tim nga garazhi.
– Ani komshi, ani. Ne jemi në Evropë dhe po jetojmë në shekullin njëzet e një. – Filloi të më mbajë ders fqinji im Syla. – Duhet të ecim me kohën, sepse koha kushton, kurse mobili na e kursen kohën!…
Nuk desha ta vazhdoja bisedën me fqinjin tim lidhur me këtë temë. E ndeza golfin tim dhe vazhdova rrugën drejt redaksisë ku kisha një takim të rëndësishëm me disa donatorë.
Ndoshta, fqinji im Syla kishte të drejtë. Por, të them të drejtën që në fillim më dolën telemobilat nga qejfi. Të rallë ishin ata qytetarë në qytetin tim të cilët nuk i kishin varur telemobilat e tyre nëpër rripat e pantollonave, në qafore, etj. Poashtu, edhe shumë vozitës duke ngarë automobilin e tyre, me një dorë mbanin tymonin, ndërsa në dorën tjetër e kishin telemobilin dhe bisedonin me dike.
Një ditë një kusheri i imi, duke biseduar me telemobil gjatë vozitjes kishte “hyrë” me mercedesin e tij të tipit më të ri, në një dyqan mu në qendër të qytetit. Ndërsa fqinji i një fqinji tim, derisa fliste me telemobil duke u vozitur me biçikletë, ishte “futur’ nën rrotat e një kamioni. Kishte pasur fat të madh ky biçiklist që kamioni kishte qenë i parkuar. Fat të madh kishte pasur edhe Hasan Karpuzi, dhëndri i një miku tim. Ai duke biseduar me gruan me telemobil, kishte rënë në një shahtë kanalizimi dhe kaloi vetëm me katër-pesë dhëmbë dhe një dorë të thyer, ashtu siç kishte kaluar edhe Sahit Shamixhija i cili kishte rënë pingul nga shkallët e podrumit.
Ishte ora katër e pasditës së ngrohtë verore, kur ashtu i rraskapitur nga puna, vapa e madhe dhe komunikacioni i dendur, mezi arrita deri në shtëpi. Posa desha ti hap dyert e garazhit, më doli përpara zonja Gjyle, bashkëshortja e fqinjit tim Sylës!
– Aman bre komshi, Syla…Syla ra në lumë. I ka thyer të dy dhëmbët i gjori… Të lutem komshi, kam nevojë të shkoj urgjent deri në spital.
– Si ndodhi kjo moj zonja Gjyle?, – e pyeta disi i befasuar.
– E mjera unë e mjera. Që nga dita e parë kur e mori kartelën e telemobilit, Syla më pati angazhuar që nga telefoni i shtëpisë, për çdo orë ti sillja numrin e telefonit të tij. Kishte dëshirë që në rrugë, në punë, në automobil, apo kudo që të jetë, njerëzit të shofin që Syla ka mobil dhe se është dikushi. Oh, fatzeza unë, nuk e kam ditur që para një ore Syla gjendej duke kaluar mu mbi urën e gurit… I solla numrat e tij dhe sapo i shkëmbyem dy-tri fjalë, kur dëgjova një ulurimë!… Aman bre komshi, shpejt të shkojmë deri në spital.
E ndeza automobilin dhe së bashku me Gjylen, e cila ishte e llahtarisur, u nisa drejt spitalit të qytetit, nga edhe e kishin lajmëruar fqinjën time për gjendjen e bashkëshortit të saj. Më dhimbsej shumë Syla, por me të vërtetë, isha i lumtur që nuk kisha telemobil.