– Çfarë dugoje asht kjo, pasha bacin, kur nuk e ki’ furnizu qysh duhet. I bërtiste një ditë mixha Shaban shitësit të dyqanit në lagjen time, haxhi Demir Tuxharit.
– O baca Shaban, këtu n’dugojen teme kam mall sa ta do shpirti. Vetëm tomël të shpenive nuk kom. – Mundohej të arësyetohet shitësi.
– Aman bre, shka po m’vynë tomli i shpenive, kur s’po muj me gjet kurkund tomël të lopës!…
Unë qëllova rastësisht në dyqan, dhe më bëhej se mixha Shaban ishte mjaft i lodhur dhe i nevrikosur. Nuk kishte faj i gjori. Para disa ditësh i kishte kaluar të 70-tat dhe me siguri kishte nostalgji, për fshatin dhe për shtëpinë e vet të djegur. Vet i pesëmbëdhjeti jeton në një banesë të një serbi, që pas luftës u shpërngul diku në Serbi.
– Baca Shaban, qetësohu pak, i thashë disi i hutuar.

– Qysh me u qetësu bre komshi, kur prej sabahit jam tuj shetit prej dugoje n’dugoj.
– Të ulemi dhe të ndezim nga një cigare, baca Shaban. – I thashë disi me ton të ulët në mënyrë që ta qetësoja fqinjin tim, kurr!…
– O puna mbarë o burra. – Ishte zëri i Ibishit nga fshati i ri i cili poashtu përkohësisht banon në lagjen tonë. – Haxhi Demir, ma jep një pako Coca Colla origjinale, dhe çilju edhe të gjithëve këtu en dugojë nga një sok të coca collës!
– O Ibish, a mos t’ka pjellë nusja. E pyeti mixha Shaban.
– Jo bre Shaban, por em erdhi shleperi me qeremide dhe monta nga Knjazhevci, që i pata porositun qysh para Bajramit, – u përgjegj Ibishi, dhe me vrap doli nga dyqani.
– Baca Shaban, a je për nji kafe? – e pyeti haxhi Demiri.
– Faleminderit bre haxhi, por nuk po muj!…
– Mirë dita zotërinjë, – na përshëndeti një mesoburë. – Mos dini vallë se ku jeton Hasan Karpuzi?
– Hasan karpuzi!… Hasan, hmmm. Në mahallën tonë nuk jeton njeri me këtë emën, – i tha haxhi Demiri.
– Po më nevojitet shumë bre zotërinjë. Ka dy ditë që i ka ardhë malli nga Nishi, por!…
– Pyetni në Lagjen e Re, se atje ka shumë depo dhe magazina, – i tha haxhi Demiri.
– Hajt se edhe unë shkova. – U ngrit mixha Shaban, sapo i panjohuri doli nga dyqani.
– O baca Shaban, prit pak. – E ndali haxhi Demiri. – Këtu en dugojen teme, kam tomël të sllovenit, tomël të maxharit, tomël të turkit, tomël të italianit!…
– Po shof bre haxhi. Por nuk ki tomël me lopë!
– N’dugojen teme bre baca Shaban, ka kohë qi’ nuk po maj mall të Serbisë, – i thotë haxhi Demiri.
– O haxhi, unë nuk po t’lypi mallë të Serbijes, por tomël t’beligradit, tomël me lopë. – i tha disi i prekur mixha Shaban, dhe doli nga dyqani.