Të diplomuarit në Fakultetet e ndryshme të Kosovës, ashtu sikur qeveri/ku-ku/tarët tanë, me kohë i kanë zgjidhur pothuajse të gjitha problemet!… Pas diplomimit, tyre, s’u ka mbetur gjë tjetër, veçse të gjejnë ndonjë vend pune???
Kështu, gjatë ceremonisë së ndarjes të diplomave në një fakultet, dy gra e filluan diksutimin rreth të ardhmes së fëmijëve të tyre, të cilët sapo kishin diplomuar.
– Urime nga zemra Shpresë. Më thuaj ç’punë do të bëjë djali yt?
– Faleminderit, urime edhe ty Dritë. Im bir edhe pse sot e morri diplomën e psikologut, do të punojë si shofer taksije. Ka patur fat që e gjeti këtë vend. Është pak e vështirë të gjesh një vend të tillë menjëherë pas diplomimit.
– Ashtu është. Me siguri keni patur miq të fortë.

– Po, im vëlla shoqërohet me një politikan që e njeh një biznsmen i cili ia zgjidhi hallin aty për aty. Arti në fillim u orvat të gjej punë vet, por hoqi dorë shpejt nga ky mendim. E kuptoi se duheshin lidhje të forta. Po vajza jote e vogël Nora, ç’ka ndërmend të bëjë?
– Meqë ajo një kohë të gjatë ishte nënkryetare e Partisë në qytetin tonë, dhe ishte mjaft aktive gjatë fushatës zgjedhore, kryetari i partisë që tani është zgjedhur në postin e Ministrit, pas diplomimit në Fakultetin e Mjeksisë, i ka propozuar Nores një vend pune në Ministrinë që e drejton ai.
– Si ndihmëse e Ministrit?
– Jo, si banakiere. Shoqja e saj nga shkolla e mesme e cila nuk ka studiuar fare, e ka gjetë një vend të mirë pune në Ministri. E ka ftuar Norën që të punoj në byfe në vendin e saj. Ajo e pranoi këtë ofertë përkohësisht, sepse dëshiron të bëhet shitëse në një dyqan mode. Po, djali ytë i mesëm Genti?
– Oh, Gentit tim i eci mjaftë mirë. Vjet posa diplomoi në Shkencat politike, mundi të siguroj një vend të mrekullueshëm.
– Si profesor?
– Jo, si gard në EULEX. Por, është shumë i kënaqur. Shokët e tij janë ende pa punë.
2. – Atëherë, ti duhesh të krenohesh me te.
– Si jo. Nuk na shkuan kot kaq shumë vite sakrifica për shkollimin e tij. – Shpresë, vajza e dytë Rina, ku është?
– Ajo diplomoi para pesë muajve në Fakultetin Teknik me notë mesatare 9,7 dhe menjëherë e ftuan në një kompani ndërtimore.
– Sa mirë. Kompanitë tona kanë nevojë për ingjinier.
– Jo, si ingjiniere, ajo po punon në central telefonik. Nuk është punë që i përshtatet, por ka një pagë mujore të sigurt.
– Ah, sikur ajo të njihet ma djalin tim të vogël Norin, që e ka diplomën e farmacistit dhe punon si kamarier.
– Me vjen keq Dritë. Sa e di unë, ajo dashuron një djalë që i ka mbaruar dy fakultete, Juridikun dhe Telekomunikacionin, kurse tani do të diplomon edhe në Fakultetin Filologjik dega e gjuhës angleze. Kanë menduar të martohen në vjeshtë nëse ai gjen punë si përkthyes në doganat e Kosovës. Nëse këtu nuk ka sukses, i kanë premtuar se ndoshta mund të gjej punë si magazioner në Organizatën komunale të Kryqit të Kuq!…
Duke i dëgjuar këto dy gra, më shkoi mendja te djali im, magjistër i Gazetarisë dhe Komunikimit masivë, për shumë vite i papunë, dhe në mënyrë spontane, ia nisa këngës: “Oj Kosovë, oj nëna ime…”
Osman GORANCI