Ismet Beqiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka thënë se takimi i liderëve të vendit para takimit të shtatorit në Washington është urgjent dhe i domosdoshëm për të qartësuar dhe aprovuar qëndrimet kosovare.
Para takimit në Uashington partnerët e koalicionit LDK, AAK, Nisma kanë paralajmëruar një takim në mes të liderëve për koordinim midis liderëve për koordinim të qëndrimeve.
Ky takim i cili pritet të mbahet të hënën në orën 15:00 sipas përfaqësuesve të LDK-së dhe AAK-së është i domosdoshëm.
“Besoj do të jenë të gjithë liderët, besojmë që do të jetë edhe z.Mustafa si kryetar i partisë. Kjo është përtej asaj që mund të konsultohemi për paqartësitë ose moskuptimet që mund t’i kemi gjatë rrugëtimit tonë në qeverisje”, tha Beqiri për RTV21.
“z.Hoti dhe LDK-ja e ka edhe platformë politike, qëndrim e kemi të qartë që shteti i Kosovës, kufijtë e vendit janë të pa ndryshueshëm’, theksoi ai.

Së fundi janë paraqitur mospajtime në mes të partnerëve të koalicionit LDK dhe AAK për dialogun me Serbinë, transmeton Gazeta Metro.
Takimi i paralajmëruar me 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë është tentativa e dytë për mbajtjen e takimit në mes të Kosovës dhe Serbisë pas dështimit të atij të 27 qershorit.