Nënkryetari i AAK-së, njëherit ish-komandanti i zonës operative të Karadakut, Ahmet Isufi, ka reaguar pas aktakuzës nga Prokuroria Speciale, ngritur ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli, përcjell InLajmi.
Ish-komandanti ka shkruar në Facebook se nuk ka aktakuzë që mund ta njollosë luftën e UÇK-së.
“Aktakuza e propozuar nga Prokuroria Speciale ndaj luftëtarëve të lirisë, është fabrikim dhe tendencë për ta njollosur luftën e drejtë të popullit tonë për liri e pavarësi.
Kjo mënyrë e veprimit me prapavijë politike, sidomos në momentet kur pritet zhvillimi i dialogut Kosovë-Serbi, jep mesazhin e qartë për tendencën e dobësimit të pozicionit të Kosovës dhe krijimit të një klime të tensionit politik”, ka shkruar Isufi.
Ai, tutje ka thënë se për mbrojtjen e të drejtës dhe të vërtetës së lirisë për atdheun e shtetin është bërë sakrificë e madhe, prandaj nuk mundet askush t’i cenojë këto vlera sublime pavarësisht synimeve dhe qëllimeve të armiqve tanë.
“Lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është vërtetuar edhe në të kaluarën me pastërtinë e saj dhe do të vërtetohet përgjithmonë, pavarësisht tendencave dhe përpjekjeve për ta cenuar dhe denigruar atë”, ka përfunduar Isufi./InLajmi/