Nëse presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli nuk japin dorëheqje, Kosova do të përballet me sfida të tjera, thotë Daniel Serwer, ekspert i Ballkanit në SHBA, teksa ka komentuar në platformën e tij aktakuzën për krime lufte të Gjykatës Speciale kundër presidentit Thaçi, Veselit dhe të tjerëve.
Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e “të tjerëve”, siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit.
Në një komunikatë për media, Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, ka bërë të ditur se:
“Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.
Beogradi sipas Serwerit do të jetë i kënaqur me këtë aktakuzë, për shkak se ka kërkuar drejtësi për krime kundër serbëve, pas përfundimit të luftës dhe kjo do t’i japë Serbisë përparësi në negociata me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.
Sipas tij, “as Evropa e as Amerika nuk do të kenë interesim që të takohen apo të ndihmojnë politikanë të cilët janë nën akuza dhe rezultati sipas tij, do të jetë izolimi ndërkombëtar”.
Serwer mes tjerash thotë se është befasuar me këtë aktakuzë, pasi nuk kishte besuar që ekzistojnë prova të mjaftueshme për të ngritur aktakuza.
Sipas tij, takimi i paralajmëruar në Washington ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, mund të vazhdojë, pasi ato mund t’i udhëheqë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përcjell Radio Evropa e Lirë.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel.