“… Dhe, të dashur dëgjuesa, po ju ves të gjithve q’i po digjoni programin e jonë dhe po marrni pjesë në lojën shpërblyese, kush e ka shkru qasaj librin “Gjenerali i ushtrisë së vdekun”. Ai që po ia qëllon pytjes tonë, do ta fitojë n’i fjalor, Anglisht-ship q’i i ka taman dhetmijë fjala…”
Ishte zëri i një moderatori të një radiostacioni lokal, valët e të cilit rastësisht i zura në radion time, derisa isha shtrirë paksa të pushojë në divan?!
– Edhe ni’herë po ju kalxoj numrat e telefonav të studios jonë, 029/… dhe 044…, q’i po presin thirrjet e juve, për m’i qillu pytjes gji ju bona parës.
“Vallë, a di shqip ky njeri”, – thashë në vete?. Nga kërshëria që të bindem se mos është ndonjë emision humoristik, ia lëshova edhe paksa zërin radios dhe ndeza një cigare.
– Ja, të dashur dëgjuesa, en lidhjen tonë kemi n’i dëgjues q’i po na lajmërohet. Alo. Alo…tit tit, tit tit. Po më duket se osht ndërpre zilja. Presim telefonin tjetër. Alo, alo, jeni en tallaset e Radio Erës.
– Radio Era, – dëgjohet zëri i një dëgjuesi tjetër.
– Po zotni, jeni lidhë direkt me neve. A po na thoni se kush e ka shkru qato librin, “Gjenerali i ushtrisë së vdekun”.
– Librin, “Gjenerali i … tit tit, tit tit.
– Alo, alo, a po nin, – pyet udhëheqësi i programit. – Me siguri ka kallabllëk en lidhjet e telefonav të postës.
Nuk munda të duroj më këtë bastardim të gjuhës shqipe. Ngrita receptorin dhe fillova t’i sjellë numrat, 029…
– Alo, urdhnoni zoti dëgjues, jeni en program direkt me neve.
– Zotëri, a dini të flisni shqip? – e pyeta disi i nevrikosur.
– Ship?! Gji po pyt k’shtu o dëgjuesi im i dashun, unë tanë kohën po foli shipin.
– Shipin ndoshta, por SHQIP nuk po flitni zotëri, dhe është turp që!…
– Ndigjo këtu shoki, – më ndërpreu udhëheqësi i programit. – Gji kie ti kundër programit tonë apo kundër meje, unë nuk di. Këtu en Radije, unë jamë pranu me konkurs dhe i kam plotësu të gjitha pikat qi i kanë kërku, si: shkolla, njohja e punës me kompjuter dhe njohja e gjuhës ingleze.
– Mirëpo, më duket se kushti i parë për të gjithë gazetarët dhe udhëheqësit e programit si ju, duhet të jetë njohja e gjuhës shqipe zotëri, – i thashë me një ton paksa më të butë.
– Zotni dëgjuesi, una po foli ship, e ti nëse nuk po m’kupton, s’kam shka me t’bo… – tit tit, tit tit, e lëshoi receptorin.
Desha edhe një herë t’i sjell numrat e telefonit të Radio Erës, kur u dëgjua zëri i një dëgjueseje.
– Alo, Radio Era.
– Po… jeni en tallaset e Radio Erës. A doni me kallxy neve se kush e ka shkru librin “Gjenerali i ushtrisë së vdekun”.
– Po. Librin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, e ka shkruar… e ka shkruar Gjergj Fishta. – Ishte përgjigjja e dëgjueses.
– Bravo, bravo. Ja pra, të dashur dëgjuesa, qikjo shoqe ia qëllloi pytjes tonë, dhe blla, blla, blla!…
Mua nuk më mbeti tjetër veç të ndez edhe një cigare dhe të shikoj se mos vallë më ka mbetur ndonjë hap qetësimi në shtëpi!…




















