Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në qytetin e Gjakovës.
Aty një person ka mbetur i vdekur, gjersa dorasja po dyshohet të jetë vajza e tij.
Gazeta Online “Reporteri.net” merr vesh se viktima e kësaj tragjedie të rëndë është historiani i njohur nga Gjakova, Masar Rizvanolli.
87 vjeçari është gjetur i vdekur rreth orës 12:00, në shtëpinë e tij në rrugën “Sabrije Vokshi” në Gjakovë, gjersa nga policia kanë konfirmuar se e dyshuar është vajza e tij me probleme mendore.
58 vjeçarja është hospitalizuar në repartin psikiatrik të spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë.

“Rreth orës 12:00 në rrugën ‘Sabrije Vokshi’ në Gjakovë, brenda në shtëpi, nga kujdestarja familjare është gjetur pa shenja jete personi M.R. lindur në vitin 1933. Pranë trupit të viktimës ishte e shtrirë vajza e tij, T.R. lindur në vitin 1962 e cila është me të meta mentale. Rastit i janë përgjigjur njësitë policore dhe urgjenca mjekësore dhe mjeku ka konstatuar vdekjen. Viktima kishte lëndime në kokë dhe dorë, por lëndime kishte dhe vajza dhe për këtë ekziston dyshimi i arsyeshëm se si vrasëse potenciale mund të jetë vajza. E njëjta është hospitalizuar në spitalin ‘Isa Grezda’ në repartin psikiatrik”, ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj.
Historiani nga Gjakova, Masar Rizvanolli ka qenë edhe Kryetar i shoqatës së Intelektualëve ‘Jakova’. Ai ka qenë edhe autor i shumë librave historik dhe për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.