Pjesa veriore e Mitrovicës dhe Zveçani janë futur në karantinë për shkak të rasteve të reja të personave të infektuar me koronavirus.
Në një konferencë për media kryetari i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq, ka thënë se vendimin e ka marrë me propozimin e epidemiologëve, institucioneve shëndetësore, Institutit të Shëndetit Publik dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Deri më tani janë 17 persona të infektuar në veri të Kosovës me koronavirus, 11 nga veriu i Mitroviës, katër nga Zveçani dhe dy nga Leposaviqi, përfshirë një person që ndërroi jetë dy ditë më parë.
Nga sot asnjë qytetar nuk mund të hyjë ose të largohet nga këto komuna përveç për arsye shëndetësore, furnizimin me ushqim, ilaçe dhe nevoja të tjera për popullatën, si dhe punonjës të administratës publike në lidhje me aktivitetetet për të parandaluar përhapjen e pandemisë.
Rakiq tha se personat e konfirmuar me koronavirus do të referohen për strehim të përkohshëm. Në Qendrën Studentore në Mitrovicë, ku do të jenë nën mbikëqyrje të vazhdueshme profesionale, mjekësore, shkruan Kossev.

Ai shtoi se do të merren masa shtesë për “raste specifike”.