Ish-zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Anton Berisha, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po krijon tema të panevojshme dhe po shkakton skandale.
Berisha tha se nuk duhet të ndodhë që kryeministri i Kosovës dhe ai i Shqipërisë të mos takohen.
“Kurti është duke e bërë atë politikën që në gjuhën popullore thonë ‘një i marrë e gjuan gurin dhe 100 vetë duhet me u marrë me të’, do të thotë ky prej skandalit në skandal po krijon tema të panevojshme, të cilat ne tash duhet me ia lexu mendjen e tij dhe me lexu protagonizmin e tij në një situatë në të cilën nuk duhet të ndodh mes shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë që kryeministrat të mos takohen”, tha ai
Ai thotë se kryeministri Kurti nuk ka pasur asnjë argument që mos të takohet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.
“Ai nuk ka pasur asnjë argument që mos me taku, as një argument nuk mund të ketë kryeministri i Kosovës mos me taku kryeministrin e Shqipërisë, kur ai e viziton shtetin, sepse ne nuk jemi në luftë. Po ashtu, Kurti takon Vuçiqin me e pa kushte, dhe i vë kushte kryeministrit shqiptar”, tha ish-zëvendësministri.
Sipas tij, qëllimi i kryeministrit Kurti është që përmes skandaleve të tërheq vëmendjen prej Procesit të Berlinit, shkruan Teve1
“Qëllimi i tij përmes këtyre skandaleve është me tërheq vëmendjen prej temës kryesore. Problemi i Kurtit është Procesi i Berlinit, do të thotë Rama është në një format jo vetëm të kryeministrit shqiptar, por edhe si një lloj i autorizumi për Procesin e Berlinit. Tash ky nuk e ka mundësinë e patriotizmit, siç e ka me Ballkanin e Hapur, sepse Procesi i Berlinit ka qenë gjithëpërfshirës dhe Kurti është duke e bërë realitet kapacitetit e tij të politikës prej kohës së opozitarizmit”, shtoi ai.