Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se e pranon propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “duke e konsideruar atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”.
Këtë deklarim Kurti e bëri pas takimit që zhvilloi me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në Prishtinë – gati një vit pasi iu dorëzua ky propozim i njohur si plani evropian.
Pasi deklaratës së kryeministrit nuk vonuan reagimet e opozitës, e cila e kritikon Kurtin për mos transparencë.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se Kurti deklaroi se ka pranuar propozimin franko-gjerman pa shpjeguar asnjëherë për qytetarët e Republikës së Kosovës se çka përmban ai.
“Kështu, ai i dha drejtim një marrëveshjeje në fshehtësi, pa asnjë transparencë, duke lënë shumë pyetje pa përgjigje të cilat i brengosin qytetarët tanë”, shkroi ai në Facebook.
Tutje, ai pyeti se a është ky plan në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe a është pjesë e saj edhe themelimi i Asociacionit.
E kësaj pyetje iu përgjigj të martën kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një deklarim për media.
Ai tha se nuk e kupton gjithë pluhurin që po ngritët për këtë çështje, derisa theksoi se Kurti qysh para tre muajve e ka pranuar se ky propozim është i pranueshëm për Kosovën dhe është bazë e mirë. Kjo pasi sipas tij, aty nuk përmendet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Por, ai pranoi se në atë plan Kosova e merr një obligim për zbatimin e marrëveshjeve të deritanishme.
“E tëra që mund të aludohet për nënkuptim të Asociacionit në atë plan është marrëveshjet e deritashme të arritura në dialog. Kosova e merr përsipër njëfarë obligimi për marrëveshjet e arritura deri tani në dialog”.
“Pra, në këtë aspekt mund të thuhet eksplicit është referenca në Asociacion. Por, çështja është se këtë Asociacion e ka hedhur poshtë Kushtetuesja dhe tash çështja është të gjendet një formë e re e Asociacionit”, deklaroi Konjufca.
Ai përmendi edhe 2 rreziqe që sipas tij, i vijnë Kosovës me planin evropian.
“Unë mendoj se janë dy rreziqe për Kosovën. E pse kjo nuk është zgjidhja më e mirë dhe pse është kompromis, po mundohem ta ndaj me ju. Është kompromis sepse nuk e ka njohjen legale, por është njohje ‘defacto’, pra shtetësia e Serbisë ndaj Kosovës nuk pranohet drejtpërdrejt, por në mënyrë të tërthortë. Kjo i bie që nuk praniohet përmes një akti shtetëror të Serbisë, por përmes një marrëveshje me BE-në”.
“Rreziku i 2-të fare i lehtë për Kosovën është që duket sikur nuk e ka njohjen e marrëveshjes përfundimtare dhe pastaj kjo do të jetë taktikë e Serbisë”, përfundoi Konjufca.
Se pranimi i planit evropian nga Kurti nuk është qëndrim kundërthënës mendon edhe Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).
Ai tha se kreu i ekzekutivit kosovar që nga fillimi nuk e ka refuzuar këtë propozim dhe sipas tij, kjo është shumë e rëndësishme.
“Propozimin e BE-së që nga fillimi nuk e ka refuzuar kryeministri Kurti, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Madje, kryeministri Kurti shumë kohë para Serbisë e ka pranuar që plani evropian përbën një bazë të mirë dhe Kosova është e gatshme të negociojë për të”.
“Kurse, muaj më parë ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq e refuzoi këtë plan duke e quajtur katastrofal. Prandaj, nuk e shoh si kundërthënës pranimin e këtij plani nga qeveria”, deklaroi Fetahu, duke shtuar se “ky plan nuk e siguron njohjen de-jure, por hap rrugë që në të ardhmen të vijë njohja de-jure dhe të negociohet për të”.
Ndryshe, emisari Lajçak teksa u shpreh se i vjen mirë që “edhe Kosova pranoi në parim planin e BE-së”, paralajmëroi se do të vazhdojnë diskutimet në nivel të lartë.
Propozimi i Bashkimit Evropian, që më herët njihej si plani franko-gjerman, ka marrë mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.