Mbrëmë para mesnate 2 policë u lënduan në Skenderaj pas një gjuajtje me armë zjarri. I përfshirë në të ishte ish-nënkryetari i Skenderajt dhe ish-deputeti Nuredin Lushtaku.
Mirëpo, ky i fundit pas marrjes në pyetje nga policia u lirua teksa avokati i tij tha se nuk ishte i përfshirë në gjuajtjen me armë zjarri. Policët që pësuan lëndime kanë kërkuar trajtim mjekësor në qendrën emergjente në QKUK, ku njëri vazhdon të trajtohet në Klinikën Ortopedike.
Mjekja kujdestare në Klinikën e Ortopedisë, Vjosa Binqe, ka thënë se gjendja e pacientit të plagosur në këmbë është stabile dhe po merr trajtimin e duhur.
“Polici ka arritur është pranuar në ora 3:28 domethënë në mëngjes, gjendja e tij është stabile, analizat janë në normë, sa i përket lëndimit, ka pësuar lëndim në shputën e majtë, domethënë është një plagë tejshpuese me armë zjarri, është trajtuar, është vendos imobilizimi me gips, është dhënë terapia e cila jepet për këtë gjendje, antibiotikë, mbrojtje antitetanike, analgjetikë, për momentin gjendja e tij është stabile dhe nuk ka ndonjë pengesë” , tha ajo për RTK-në.
Ish-nënkryetari i Skenderajt dhe ish-deputeti Nuredin Lushtaku është përfshirë të shtunën para mesnate në një përleshje me armë zjarri në Skenderaj, në të cilën mbetën të lënduar 2 zyrtarë policor.
Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, sipas së cilës, njëri polic është plagosur me armë zjarri në këmbë dhe tjetri është lënduar nga mjetet e forta, për çka janë arrestuar 2 persona dhe 2 të tjerë janë në kërkim.
Për këtë përleshje Policia e Kosovës ka intervistuar Nuredin Lushtakun, për të cilin avokati i tij, Artan Qerkini tha se nuk dyshohet që ka gjuajtur me armë.
“Në fakt unë e kam taku zotërinë Lushtaku, ai është liruar nga ndalimi policor, mbi të nuk rëndon ndonjë dyshim që ai të ketë përdorur armë gjatë incidentit në fjalë, natyrisht organet policore janë duke i zhvilluar hetimet për rastin në fjalë, dhe pasi që të kem qasje në shkresat e lëndës do të mund të jem më specifik për atë se çfarë ka ndodhur, për momentin nuk mund të deklaroj diçka më shumë”, tha avokati Qerkini.
Ndërkohë, pas deklarimeve të Lushtakut nëpër media se policët kanë gjuajtur njëri-tjetrin, ka reaguar Inspektori Policor i Kosovës, sipas të cilit nuk ka policë të dyshuar për këtë gjë.
“Pas konsultimeve me prokurorin kujdestar ju njoftojmë së në këtë fazë, hetimet lidhur me këtë incident do ti vazhdojë Policia e Kosovës (pasi që në bazë të veprimeve hetimore dhe pas konsultimeve me prokurorin kujdestar në këtë rast, deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit Policor.
E policët që pësuan lëndime mbrëmë pas mesnate kanë kërkuar trajtim mjekësor në qendrën emergjente në QKUK, ku njëri vazhdon të trajtohet në Klinikën Ortopedike, ndërsa tjetri është liruar në shtëpi.