Ndarja e Çmimeve Grammy, event i konsideruar si çmimet Oscar të muzikës, u shty për shkak të rreziqeve të mëdha që sipas organizatorëve vijnë nga varianti Omicron.
Ceremonia ishte planifikuar për më 31 janar në Los Anxheles me spektatorë dhe performime ‘live’ dhe pas anulimit nuk ka një datë për mbajtjen e saj.
Muzikanti i talentuar Jon Batiste udhëheq nominimet për çmimet e këtij viti, duke marrë 11 të tilla për një seri zhanresh, që përfshijnë muzikën R&B, xhaz, atë tipike amerikane dhe atë klasike.
Vendimi u njoftua thuajse në të njëjtën kohë kur Festivali i Filmit Sundance anuloi formatin ‘live’ të tij, që do të niste më 20 janar duke kaluar në një format online, shkruan Euronews.
I themeluar nga Robert Redford në Park City të Jutah, Festivali i Filmit Sundance është kthyer në “Mekën” e filmave të pavarur që vijnë nga e gjithë bota. Në të garojnë 82 filma me metrazh të gjatë të zgjedhur nga mbi 3.700 aplikime.