Në prag të pushimeve verore, Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë ka njoftuar se Kosova më nuk është pjesë e listës së shteteve që Gjermania i konsideron me rrezik të lartë të infektimit me koronavirus. Kosova do të largohet nga kjo listë zyrtarisht më 13 Qershor.
Lajmi është bërë i ditur përmes një postimi në web faqen zyrtare të MPJ-së së Gjermanisë.
“Ndryshimet e fundit: Lajmet (me efekt nga 13 Qershor 2021, Kosova nuk është më një zonë rreziku, situata epidemiologjike)”,thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Por, Ministria ka paralajmëruar qytetarët që të mos udhëtojnë drejt Kosovës për udhëtime të panevojshme turistike.
“Përhapja e koronavirusit vazhdon të çojë në kufizime në trafikun ajror dhe udhëtimin ndërkombëtar dhe dëmtimin e jetës publike. Paralajmërimet lëshohen kundër udhëtimeve të panevojshme turistike në Kosovë deri më 12 Qershor 2021. Udhëtimet e panevojshme turistike në Kosovë nuk rekomandohen me efekt nga 13 Qershori 2021”, thuhet në njoftim, raporton Gazeta Express.
Tutje, ky institucion këshillon qytetarët që të përcjellin lajmet për të marrë informacionet e fundit, meqenëse situata mund të ndryshojë.