Sektori i Hetimeve i Departamentit të Policisë Kufitare (DPK), pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, nën dyshimin e kryerjes së veprës ‘kontrabanda me emigrantë’, sot ka filluar së zbatuari planin operativ ‘Emigranti’, përcjell InLajmi.
Operacioni është zhvilluar në 2 rajone, në rajonin e Mitrovicës Jugu dhe atë të Prizrenit.
“Si rezultat i hetimevenga sektori i hetimeve të DPK-së dhe me asistimin e njësive tjera mbështetëse të PK-së, janë kryer kontrolle në 10 lokacione (shtëpi, hotele dhe objekte përcjellëse). Gjatë kontrollit janë arrestuar 20 të dyshuar, prej tyre 14 shtetas të Kosovës dhe 6 me shtetësi nga vendet e lindjes Iraku, Siria dhe Palestina, të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale të lartshënuar”, ka njoftuar Policia.
Po ashtu gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar provat materiale si ne vijim: 22 telefona celular, 11 automjete të ndryshme, 6 fishekë cal 7.65 mm, një grirëse për mariuhanë, 2 pako rizollo, 3 çipa (memoristik) – kartela të telefonit, disa sim kartela dhe një sasi e mjeteve monetare.
Ndryshe, pas përfundimit të procedurave, me vendim të prokurores së rastit nga Prokuroria Themelore e Krimeve të Rënda në Mitrovicë, janë dërguar në mbajtje prej 48 orëve 11 të dyshuar, ndërsa 9 janë liruar në procedurë të rregullt./InLajmi/