Buzëmbrëmje
Sonte gdhenda fjalën që dikur peng mbeti
Me daltën e zemrës
Tjetër kuptim mori nata
Dita agoi e mjegulluar gati gri
E hëna nuk u nusërua as sonte…
Me mprehtësinë e syrit
Sfidova shqiponjën soditur qiellin e purpurt
Gjethet luanin vallen e vdekjes
Etja buzëmbrëmjeve venitej për një pikë shiu
Psherëtimë e zemrës sa grushti mbeti
U tret afër largësia
Iku trembur si siluetë
Varg i pashkruar u bë në mua
U shua imazhi i ditës pa emër
Kroi shterroi e bucela boshe mbeti
Malli ngjyrën e kurbetit mori
Me mërgimtarin në rolin e vuajtjes
Që hapëroi sypërlotur dhiareve,buzëshkrumbuar
Sytë t’ia mbyll mallëngjyer nënë mjerës
Shkruan: Nazmije Mema