Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka hedhur poshtë pretendimet se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka pasur raste kur nuk ka prodhuar fare energji elektrike apo se Kosova ka qenë në kolaps energjetik.
Në një konferencë për media, Rizvanolli tha se sfidat ekzistojnë në sektorin energjetik, por theksoi se siguria e furnizimit aktualisht varet nga termocentralet e vjetra 62 dhe 42-vjeçare, për të cilat, sipas saj, nuk janë bërë kurrë rehabilitime të mirëfillta.
“Një arsye pse që nga prilli nuk janë në funksion të gjitha blloqet është sepse për herë të parë në termocentralin ‘Kosova B’ po modernizojmë turbinat. Blloku B2 është jashtë funksionit për rreth 6 muaj për t’i kryer këto punime. Është një sakrificë e përkohshme, por e domosdoshme. Këto nuk janë remonte të zakonshme, janë ndërhyrje që nuk janë bërë asnjëherë më parë”, tha Rizvanolli.
Sipas saj, investimet aktuale përfshijnë modernizimin e turbinave, vendosjen e filtrave dhe përmirësime të tjera që pritet të rrisin kapacitetin prodhues për 80 megavat dhe të ulin ndjeshëm ndotjen.
Ministrja e Ekonomisë komentoi edhe përhapjen e dezinformatave në lidhje me importin e energjisë, duke thënë se shifrat e përmendura së fundmi – mbi 3 mijë gigavat orë – janë të pasakta.
“Importi ka qenë mes 1 mijë dhe 1500 gigavat orë. Nuk e di nga i marrin këto të dhëna, por nëse i referohen ASK-së, atëherë duhet të shpjegojnë metodologjinë dhe indikatorët e përllogaritjes”, theksoi ajo.
Rizvanolli mohoi fuqishëm pretendimet se Kosova po importon energji nga Serbia, duke sqaruar se tregtimi në linjat mes dy vendeve është i bllokuar që nga viti 2020, kur Kosova shpalli pavarësinë energjetike.
“Energjia nuk blihet nga Qeveria. Për çdo pyetje në lidhje me furnizimin, çmimin dhe origjinën e energjisë duhet të drejtoheni tek KESCO, furnizuesi kryesor që është kompani private që nga viti 2013”, përfundoi Rizvanolli.