Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, bëri sot homazhe dhe vendosi lule në kompleksin e varrezave në fshatin Ribar i Vogël të Lipjanit, si dhe në fshatrat Makoc e Sharban të Prishtinës.
“Me homazhe dhe kurora me lule kryetari Konjufca nderoi edhe të rënët e varrosur në kompleksin e varrezave në fshatin Makoc të Prishtinës, në të cilin prehen eshtrat e 93 shqiptarëve, në mesin e qindra të vrarëve e të masakruarve në rajonin e Gollakut gjatë pranverës së vitit 1999, në atë që njihet si njëra nga masakrat më të mëdha dhe më çnjerëzore që forcat policore, ushtarake e paramilitare serbe kryen mbi popullatën civile shqiptare”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Konjufca theksoi se pa zbardhjen e këtyre krimeve dhe vënien e autorëve të tyre para drejtësisë, as të rënët për liri nuk mund të prehen të qetë në varret e tyre, shkruan RTK.
Nderime me rastin e 25 vjetorit të rënies, kryetari Konjufca bëri edhe te lapidari i dëshmorëve Dalip Alshiqi, Behxhet Brajshori, Enver Berisha, Besim Berisha dhe Mehmet Bala në fshatin Sharban të Prishtinës.