Shkruan: Blerim Valla
Do të duhej një jetë e tërë për të treguar gjithë tragjedinë e Kosovës dhe të popullit të saj të shkaktuar nga pushtuesi serb, nga barbaria dhe gjenocidi serb. Tragjedia apo llahtaria më e tmershme me siguri ishte ajo e luftës së fundit në Kosovë, ajo gjatë 78 ditëve të sulmeve – bombardimeve të NATO – s, mbi forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe . Ishte viti i fundit i shekullit XX- të, ishte qyteti i Gjakovës dhe data 24 mars e vitit 1999, natë e cila do të mbetet e paharruar tek çdo qytetar i Gjakovës, për tmerrin dhe llahtarinë e përjetuar nga ekspeditat vrastare serbe.
Por para se të ndodhte ferri i 24 marsit të vitit 1999, ishin disa ngjarje të cilat disi paralajmëronin se do të ndodhë diçka e tillë. Si çdo qytet i Kosovës, edhe Gjakova në këtë periudhë ishte në shtetrrethim të plotë.Kishin ndodhur masakrat në Prekaz, Likoshan, Çirez, Izbicë, Reçakë … Gjakova ishte mbushur nga të ikur të shumtë, të ardhur nga fshatrat përreth. Mbretëronte një atmosferë e zymtë. Qyteti pothuajse ishte zbrazur nga të rinjtë, të cilët ju ishin bashkangjitur me të madhe radhëve të UÇK – së. Kudo zhvilloheshin beteja të shumta mes trimave të UÇK – së dhe forcave serbe. Qyteti frymonte deri kah ora 15, më pastaj secili qytetar i Gjakovës mbyllej nëpër shtëpitë e veta. Mbretëronte një zi e madhe. Në frontin e Junikut ishin vrarë trimat gjakovar Elton Zherka dhe Përmet Vula. Ishte vrarë edhe rockeri i njohur gjakovar Ilir Soba, sikurse dhe shumë të tjerë. Këtë zi, në gjysmën e dytë të marsit, e shtoi edhe më tepër lajmi për vdekjen e eprorit Yll Morina, dhe vrasja mizore e aktivistit Ferid Domi, në varrimin e të cilit (më 22 mars 1999) ishte gati e tërë Gjakova. Atmosfera në qytet dhe tek banorët e tij ishte shumë e rëndë dhe e tendosur.
Në qytetin e Gjakovës vinte era luftë. Kronikë krimesh që nuk harrohen – Ploja serbe në qytetin e Gjakovës Lajmi për fillimin e sulmeve ajrore të Nato- s mbi caqet serbe në Kosovë, ngjalli një fije shprese tek banorët e Gjakovës. Por kjo ndjenjë nuk zgjati shumë, sepse me largimin e përkohshëm të aeroplanëve të Nato – s , filloi ferri më imadh në historinë më të re të Gjakovës. Ekspeditat serbe të vdekjes nisën llahtarinë ndaj popullates së pafajshme dhe të pambrojtur të Gjakovës.Duke shkaktuar djegje e rrënime, vrasje e masakrime të shqiptarëve, arrestime e zhdukje pa gjurmë të njerëzve nga komuna e Gjakovës. Ferri i 24 marsit të vitit 1999, mori edhe shumë viktima civile, të rinj e pleq, të ekzekutuar në mënyrën më mizore , vrasje këto që përfunduan vetëm me shporrjen e forcave ushtarake dhe paraushtarake serbe nga Kosova dhe Gjakova. Filloi edhe dëbimi masiv i popullatës shqiptare.
Rreth 1 milion shqiptarë u shpopulluan me dhunë nga trojet e tyre stërgjyshore Me një fjalë nisi spastrimi etnik brutal i forcave jugosllave ndaj një qyteti të tërë . Gjatë natës së 24 marsit 1999 dhe mëngjezit të ditës së nesërme, barbarët jugosllavë vranë shumë civilë shqiptarë, vrasje të cilat vazhduan gjatë 78 ditëve dhe netëve të ferrit të gjallë, deri më 14 qershor të vitit 1999, me shporrjen e forcave pushtuese një herë e përgjithmonë nga Kosova, pra edhe nga Gjakova. Në natën e 24 marsit të vitit 1999, piromanët serbë , malazezë … dogjën kompleksin e Çarshisë së Vjetër, simbol i traditës, arqitekturës, dhe i trashëgimisë kulturo – historike të Gjakovës dhe Kosovës. Nga ky kompleks shkrumb e hi u bënë 423 dyçane dhe shumë shtëpi përreth tij. Ia mësyen dhe me topa e shkatërruan edhe Xhaminë e Hadumit, simbol tjetër ky i Gjakovës dhe i themelimit të këtij qyteti. U shkatërruan dhe u dogjën edhe shumë objekte të tjera të trashëgimisë kulturo – historike dhe ato të kultit. Një urbicid ky i paparë në zemër të Evropës. Vetëm më 24 dhe 25 mars 1999 nga operacioni serb “Djegie dhe vdekje “ u vranë afër 100 banorë të komunës së Gjakovës . Në Gjakovë, asgjë më nuk ishte si më parë. Gjakova ishte shndërruar në një varrezë të madhe , ku kudo shihje vetëm kufoma shqiptarësh të vrarë. Gjakova i ngjante një ferri të gjallë nga i cili nuk mund të dilnin ata që kishin mbetur brenda . Prej kësaj nate të ferrit e deri më 14 qershor 1999, ky qytet, sipas të dhënave të NKMDLNJ – së, numëron 760 të vrarë, kurse 700 veta ishin të zhdukur, 340 shqiptarë, nga komuna e Gjakovës, janë arrestuar dhe të dënuar me procese të montuara me burgim. Kurse sipas disa burimeve të tjera, Gjakova numëron mbi 150 dëshmorë dhe shumë invalidë të luftës. Asnjë qytet nga mbarë Kosova nuk ka patur më shumë ushtarë në UÇK dhe luftëtarë të angazhuar në luftën e fundit se sa Gjakova .
Numri i tyre arrinë në 1.800 ushtarë -luftëtarë . Gjatë periudhës 24 mars – 14 qershor 1999, në këtë qytet rrëzë Çabratit janë evidentuar 6200 shtëpi dhe 1200 dyqane të shkatërruara nga dora e fashistëve dhe kriminelëve jugosllavë. Përqindja e banorëve të zhvendosur gjatë kësaj periudhe të luftës ishte 75%, kurse në qytet kishin mbetur vetëm 25 % e banorëve . Gjithnjë sipas të dhënave të lartëpërmendura, 90.000 deri në 100.000 banorë të komunës së Gjakovës (në atë periudhë Gjakova kishte mbi 120.000 banorë, prej tyre 99 % shqiptarë), ishin të detyruar t’i lëshojnë vatrat e tyre shekullore, nga ploja serbe. Në Gjakovë secili qytetar e ka nga një rrëfim të vetin për këtë periudhë të ferrit. Në Gjakovë, dhembja asnjëherë nuk do të pashitet. Qyteti tash gati në tërësi e ka ndryshuar pamjen .Por asgjë s’ka ndryshuar në shpirtin e vet .
Në Gjakovë, thonë, shpresa do të vdes e fundit. E tërë bota duhet ta dijnë se nuk mund ta ndërtojnë një Kosovë tolerante përderisa nuk dihet për fatin e gjithë gjakovarëve të kidnapuar nga forcat paramilitare dhe militare serbe. Në Gjakovë secila shtëpi dhe secili gjakovarë është një libër i tërë përjetimesh tronditëse njerëzore. Është një plagë e gjallë dhe një histori e gjallë, një histori e re që pret të shkruhet. Me tmerrin e përjetuar, me viktimat dhe qëndresën e vet gjatë luftës së fundit, Gjakova sot pas 25 vitesh tashmë është bërë qytet i gjithë shqiptarisë dhe gjithë atyre që ia dinë vlerën lirisë.
Edhe sot e kësaj dite, edhe pse nga sulmet ajrore të NATO- s ndaj forcave jugosllave dhe caqeve serbe në Kosovë, kanë kaluar 25 vite, asnjëri e as unë, nuk mund të besojë se gjithë ajo që ndodhi në Kosovë, në përgjithësi dhe në Gjakovë, në veçanti, ka ndodhur përnjëmend apo ishte vetëm një ëndërr e keqe … Tash pas 25 vitesh, mund të shohim se sulmet e NATO – s ndaj forcave jugosllave në Kosovë, përkundër gjithë asaj katrahure, Kosovës ia sollën lirinë dhe pavarësinë. Dhe nëse për asgjë tjetër, gjatë këtyre 25 viteve të kaluara shumë fëmijë kosovarë, përfshirë këtu edhe dy vajzat e mia, u lindën, jetojnë, luajnë, shetisin dhe shkollohen të lira, pa frikë nga askush! Gjakovë, 24 mars 2024./InLajmi/