Nën udhëheqjen e kryetarit Ardian Gola, u mbajt sot mbledhja e radhës e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, në të cilën u shqyrtua Plani i performancës së Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK) për vitin 2024.
Kryetarja e KKTK-së, Zanita Halimi, para anëtarëve të Komisionit prezantoi Planin e performancës së këtij këshilli, duke e ndarë, siç tha ajo në tri objektiva kryesore, si në vijim: fuqizimi i mbrojtjes dhe gjendjes së Trashëgimisë Kulturore, fuqizimi i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore si dhe promovimi i trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe punës së KKTK-së.
Krahas kësaj ajo potencoi se secili objektiv është i shoqëruar me aktivitete përkatëse dhe veprime, përmes të cilave parashikohet realizimi i objektivave dhe performancës institucionale përgjatë vitit 2024.
Po ashtu, Halimi foli edhe për aktivitetet dhe detyrat që ka para vetës KKTK-ja, të cilat sipas saj, përfshijnë, përgatitjen e strategjisë zhvillimore të KKTK-së për vitin 2024-2028, përcaktimin e selisë dhe zyrave të KKTK-së, plotësimin e infrastrukturës ligjore të KKTK-së, fuqizimi e mbrojtjes dhe përmirësimin e gjendjes së trashëgimisë kulturore, vlerësimin e aseteve të dëmtuara të trashëgimisë kulturore, promovimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe punës së KKTK-së, bashkëpunimin dhe avokimin për anëtarësim në organizata dhe rrjete ndërkombëtare etj.
Anëtarët e Komisionit, shtruan pyetje dhe adresuan shumë çështje lidhur me punën e KKTK-së, ndërsa anëtarët e bordit të KKTK-së dhanë sqarimet dhe shpjegimet të nevojshme nga ana e tyre.
Gjithashtu, gjatë kësaj mbledhjeje u shqyrtua dhe më pas u miratua Plani i punës së Komisionit për sesionin pranveror 2024. /InLajmi/