Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot 119-vjetorin e vdekjes së figurës së shquar patriotike Papa Kristo Negovani.
Papa Kristo Negovani lindi në Negovan të Kolonjës në anën lindore të Gramozit, sot Greqi. Arsimin fillor e mori në vendlindje dhe shkollën e mesme e vazhdoi në Athinë. U vendos për disa kohë në Rumani ku punoi duke ushtruar profesionin e drugdhendësit. Në atmosferën e shoqërive atdhetare shqiptare, ai u bë pjesë e shoqërisë së shqiptarëve “Shpresa” duke u angazhuar në veprimtaritë e saj. Më 1897, pasi u kthye në vendlindje iu kushtua tërësisht lëvrimit të gjuhës shqipe, lirisë e pavarësisë së vendit. Me librat shqip, të sjellë në Negovan, hapi fshehtas shkollën e parë shqipe për bashkëfshatarët e tij dhe me interesimin e tij u dërguan vajzat e para nga Negovani në shkollën shqipe të vashave në Korçë.
Papa Kristo Negovani, më 10 shkurt 1905, organizoi një shërbesë kishtare në gjuhën shqipe. 2 ditë më vonë, më 12 shkurt 1905, Papa Kristo Negovani së bashku me të vëllain e tij, Papa Theodhosin dhe tre bashkëfshatarë të tjerë u masakruan nga andartët grekë.
Ai qe një ndër frymëzuesit e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, e cila do të bëhej realitet vetëm me Fan Nolin. Ndër veprat letrare të Papa Kristo Negovanit vlen të përmenden: “Istori e dhjatës vjetërë”, botuar në Bukuresht në 1899; “Bënjatë e shënjtorëvet dërgimtarë”, në Sofje më 1903 etj, si dhe shkroi e përkthyeu në shqip edhe përralla e shumë vjersha me karakter didaktik, shkruan ATSH.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell të vetmin imazh fotografik i tij, riprodhuar pafundësisht prej patriotëve shqiptarë. Një prej këtyre imazheve vjen nga Parisi, riprodhuar nga patrioti Nikolla Lako, pronari i një shtypshkronje të vogël, në të cilën shtypte libra mësimorë në gjuhën shqipe dhe kartolina.