Kryetari i Shoqatës së familjeve të dëshmorëve të luftës së UÇK-së, Xhavit Jashari ka patur kritika të ashpra ndaj Qeverisë për mënyrën se si po trajtohen veteranët, raporton InLajmi.
Gjithashtu ai pati edhe kundërshtime ndaj procesit që po zhvillohet nga Gjykata Speciale të cilin e konsideron të pamëshirshëm dhe të bazuar në shpifje.
“Ne qëndrojmë me qëndrime tona edhe ndaj Gjykatës Speciale e cila pamëshirshëm me pretendime, shpifje dhe gjithë ato që po i bën ndaj luftës dhe krerëve të saj por gjithsesi shprehem shqetësimet tona edhe ndaj kësaj qeverie e cila prej që është dhe është e vetmja qeveri pasluftës që është Qeveri anti-UÇK”, tha Jashari.
Ndërkohë Jashari tha se gjatë qeverisjes aktuale, në mënyrë të vazhdueshme ka patur përpjekje për të goditur luftën e UÇK dhe duke mohuar të drejtat e kategorive të dala nga lufta. Ai gjithashtu ka konsideruar si problematike heqjen e veteranëve nga paga minimale.
“Çdoherë prej që është kryeministër Albin Kurti dhe vartësit e tij, përpjekjet e vazhdueshme i ka bërë për të goditur luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke mohuar të drejtat këtyre kategorive dhe ne e diskutuar dhe në vitin 2024, presim edhe interpretimin e Kushtetueses që goditi veteranët duke i hequr nga paga minimale dhe ne do të organizohemi për të kundërshtuar çdo padrejtësi që i bëhet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ju e dini që ka bërë shkelje ligjore duke ia mohuar familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës, pensionin e pleqësisë dhe kontribut-dhënës padrejtësisht dhe ne u kemi bërë thirrje dhe po iu bëjmë edhe sot”, tha ai.
Po ashtu, kryetari i kësaj shoqate ka theksuar se nëpërmjet këtyre vendimeve, Kurti po shkel çdo ditë mbi gjakun e dëshmorëve teksa bën thirrje që diçka e tillë të mos vazhdojë vitin e ardhshëm.
“Ka shkel mbi gjymtyrët e invalidëve, po shkel çdo ditë mbi gjakun e dëshmorëve por mendoj që bashkërisht që në vitin 2024, do t’i themi stop jo vetëm këtij kryeministri por çdokujt që bën përpjekje për të njollosur dhe atakuar luftën e UÇK-së ”, u shpreh ai.
Data 30 dhjetor shënon Ditën e Veteranëve. /InLajmi/