Rahoveci është kampion vjeshtor në Superligën e Kosovës në hendboll (meshkujt).
“Vreshtarët” i kanë fituar të gjitha 14 ndeshjet e pjesës së parë të edicionit garues 2023/2024.
I bie që Rahoveci ka mposhtur nga 2 herë të gjitha skuadrat. Ka fituar 2 herë ndaj kampiones në fuqi, Besa Famgasit, e po ashtu 2 herë ndaj fitueses së Kupës, Trepçës. Me 603 gola të shënuar, Rahoveci ka sulmin bindshëm më efikas. Ndërkohë ka pranuar 404 gola, 2 më shumë se Besa Famgas. Rahoveci dimëron në krye me 28 pikë. Besa është e 2, por ka 6 pikë më pak – 22. Trepça ka 20 pikë në vendin e 3.
Rahoveci ka disa vjet që shquhet për organizim e seriozitet. Nivelin e organizimit e ka rritur edhe më shumë në verë dhe kjo solli fitoret rresht. Ka angazhuar lojtarë cilësorë vendorë e të huaj e po ashtu bëri ndryshime në shtabin teknik, shkruan lajmi.net
Ka pasur edhe përkrahje të mirë nga shikuesit, ndërsa me paraqitjet në vjeshtë ka dëshmuar se është kandidat i fuqishëm për 2 trofetë e këtij edicioni – titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës.