Në rezidencën e ambasadorit gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, së bashku me përfaqësues të Asociacionit të Pavarur të Gazetarëve dhe Qendrës Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medieve, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi gazetarët nga Ukraina dhe Afganistani që po strehohen në Kosovë nëpërmjet programit Journalists in Residence, JiR Kosovo, përcjell InLajmi.
Para se t’i falënderoj për shërbimin, jo vetëm ndaj vendit po edhe ndaj parimeve universale të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, kryeministri Kurti i siguroi se ata janë të mirëpritur në Kosovë dhe se populli i Kosovës e kupton shumë mirë se si është të jesh larg vendlindjes dhe familjes, e pa e ditur se kur do të mund të kthehesh përsëri. Ai uroi që vitin tjetër do të jetë e mundur për ata që të kthehen të sigurt në vendet e tyre të origjinës, por se deri atëherë dhe përherë le ta konsiderojnë Kosovën si shtëpinë e tyre të dytë.
Journalists in Residence, JiR Kosovo, është program që financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe i cili mbulon koston e jetesës, pagat dhe zyrat, për t’u mundësuar gazetarëve të strehuar të punojnë nga distanca. Nga shkurti i vitit 2022, deri më tani janë 23 gazetarë përfitues, prej të cilëve 18 ukrainas dhe 5 afganë. 15 gazetarë vazhdojnë të banojnë ende në Kosovë. Ky program zbatohet nga Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Kosovës, me mbështetjen e iniciativës Hannah Arendt. /InLajmi/