Deputetja nga Lista “Guxo”, Jeta Statovci ka thënë se me urdhër-arrestin e lëshuar nga INTERPOL-i për nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, në lidhje me sulmin e armatosur në Banjskë janë duke u parë indicet e para për masa ndaj Serbisë.
Ajo në emisionin “Ditari” në Tëvë 1 tha se aleatët e Kosovës e kanë të qartë situatën dhe janë duke e bërë gjykimin e duhur.
“Mendojë që aleatët tanë, parimisht SHBA e kanë shumë të qartë situatën dhe janë duke e bërë gjykimin e tyre, si në aspektin e sigurisë si në aspektin politike në kuadër të hapave të mëtutjeshëm. Aktualisht ne po shohim që institucione të caktuara janë duke i marrë hapat e parë sikurse që ishte urdhër-arresti nga ana e INTERPOL për Radoiçiqin dhe diku 11 anëtarë të tjerë. Shohim indicet e para dhe për këtë jemi në koordinim të vazhdueshëm, të shohim se si do të ec tutje”, ka deklaruar ajo.
Ndryshe, sot organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, lëshoi urdhër-arrest për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, në lidhje me sulmin e armatosur në Banjskë pjesa veriore e Kosovës.