Ballkani është në përgatitjet e fundit për ndeshjen e raundit të parë në Champions League, atë ndaj bullgarëve të Ludogorets më datë 11 korrik. Skuadra kampione e Kosovës, ashtu si edhe në sezonin e kaluar kërkon të përjetojë një verë të gjatë e të nxehtë europiane dhe pse jo të mbërrijë sërish në grupet e një prej kompeticioneve të UEFA-s.
Kështu, para sfidës me Ludogorets, trajneri Ilir Daja merr edhe një “dhuratë” të çmuar nga drejtuesit e klubit teksa burimet mësojnë se Vesel Limaj pritet të firmosë ditën e enjte dhe më pas të prezantohet si lojtari më i ri i Ballkanit.
Ish-mesfushori i Tiranës sezonin e fundit ishte pjesë e Hermannstadt në Rumani dhe në fakt nuk vjen falas. Klubi i Ballkanit do t’i paguajë shifrën e 30.000 eurove klubit rumun, ndërsa vetë Vesel Limaj do t’i “falë” Hermannstad edhe rreth 20.000 euro për mbylljen e parakohshme të kontratës duke qenë se 26 vjeçari kishte edhe një vit të mbetur në konratë. Një “operacion” që në total kap shifrën e 50.000 eurove, shkruan Teve1.
Me mbërritjen e Limajt, shtohen edhe cilësitë në organikën e Ballkanit në vigjilje të ndeshjes me Ludogorets.