Kampioni i Kosovës në futsall dhe fitues i Kupës së Kosovës, Prishtina 01 ka mësuar tashmë ekipet me të cilat do të përballet në raundin preliminar në Ligën e Kampionëve për sezonin 2023/24.
Sot e mërkurë, 5 korrik, është hedhur shorti për grupet në raundet preliminare në Ligën e Kampionëve në futsall.
Prishtina 01 është shortuar në Grupin D, ku si kundërshtar do t’i ketë KSC Lubawa Poloni, Utleira Idrettslag Norvegji dhe Isbjorninn Islandë.
Ndeshjet e këtij raundi para-kualifikues do të zhvillohen nga data 22 deri në 27 gusht në Poloni.
Vendi i parë i grupeve do t’i bashkohet ekipeve tjera me koeficiente më të lartë në ‘main-raund’ me ndeshjet që zhvillohen nga 24 deri në 29 tetor, shkruan Telegrafi.
“Main-Round” çon ekipet pastaj në raundin elitar të nëntorit dhe dhjetorit, i cili do të vendosë 4 pretendentët për në finalet e eliminimit në maj të vitit të ardhshëm.