Luiza Gega është një nga sportiset që ka përfaqësuar në mënyrën më dinjitoze flamurin shqiptar në të gjitha garat ku ka marrë pjesë. Ajo është shpallur kampione e Ballkanit në garat e ateltikës, të mbajtura në Stamboll të Turqisë, në kategorinë 3000 metra, por sukseset e saj nuk u ndalën me kaq.
Luiza arriti të siguronte edhe titullin kampione e Evropës në atletikë, duke thyer kështu rekorde të njëpasnjëshme dhe duke u bërë femra e parë shqiptare që korr suksese të jashtëzakonshme në këtë lloj sporti.
Këtë javë, Luiza Gega vjen në një intervistë ekskluzive për Gazetën InLajmi. Ajo flet për vështirësitë, për përkrahjen, sfidat, rrugën e saj deri te suksesi dhe planet për të ardhmen.
InLajmi: Si filloi rrugëtimi juaj në atletikë. Çfarë kujtoni nga fillimet e juaja në fushën e vrapit, tashmë të kthyer në tribunë fitoresh?
Luiza Gega: Çdo gjë ka nisur shumë rastësisht, nuk e dija kurrë që do të bëhesha një sportiste. Thjesht isha një fëmijë shumë i gjallë, shumë aktiv dhe më pëlqente të lozja. Gjithmonë gjendesha ku kishte lojëra, madje edhe kur bënim gara me klasat gjithmonë isha e para. Por nuk është që kam pasur një sportist në familje që të më shtynte të bëhesha atlete.
Gjithçka nisi në moshën 14-vjeçare, kur një i afërm i familjes në atë kohë ishte trajner në qytetin e Durrësit dhe më tha që ta provoj të merrem me sport sepse shihte tek unë shumë elemente që të mund të bëhesha sportiste në të ardhmen. Dëshira ime ishte që të shkoja dhe të argëtohesha, duke vrapuar, por pa e menduar që një ditë do të isha kjo që jam sot. Pas 4 muaj stërvitjesh, mora pjesë në garën e parë që bëhej në rrethet e Shqipërisë, ku edhe dola e para. Ai ishte emocioni i parë dhe nga aty filloi çdo gjë.
InLajmi: Cilat kanë qenë vështirësitë që keni hasur gjatë rrugëtimit tuaj. A ju ka krijuar Shqipëria kushtet që ju të zhvilloni këtë lloj sporti?
Luiza Gega: Vështirësitë që hasa në atë kohë ishin të mëdha pavarësisht faktit që dola e para. Ne ishim familje shumë e madhe, një familje prej 5 fëmijësh dhe kushtet ekonomike nuk ishin aq të mira në atë kohë. Prindërit ishin shpërngulur nga Dibra në Durrës për një jetë më të mirë dhe sigurisht kryesorja ishte shkollimi ynë, por prindërit pavarësisht se sa mundoheshin nuk mund t’i përballonin shpenzimet e mia për të ushtruar këtë lloj sporti, pasi siç dihet atletika kërkon disa financa të mira, për të përballuar qoftë veshjet, ushqimet ekstra apo edhe gjërat e tjera. Prindërit punonin punë krahu, mami ishte kuzhiniere ndërsa babi punonte në ndërtim jashtë vendit për të sjellë të ardhura më shumë. Asokohe po ndërtonim shtëpinë dhe njëkohësisht po shkolloheshim. Këto vështirësi më bënin të mendoja shpesh se çfarë duhet të bëj sepse ka qenë e vështirë për ta që të shkollonin fëmijët, por edhe të plotësonin kushtet e mia që ishin shumë më të mëdha sesa të vëllezërve apo të motrave. Përtej kësaj, patjetër që kemi hasur vështirësi edhe në infrastrukturë, pasi nuk kishim stadiume apo mbështetje financiare, trajtim ushqimor e të tjera. Thjesht ishte një emocion dhe dëshirë për të ecur përpara. Mundohesha gjithmonë që të jepja më të mirën prej vetes në çdo lojë që merrja pjesë.
InLajmi: Cila ishte pika kulminante në karrierën dhe jetën tuaj, kur duhej të merrnit një hap shumë të rëndësishëm për të ardhmen tuaj?
Luiza Gega: Rrugëtimi më i madh filloi kur unë shkova në Universitetin e Tiranës, ai ishte një hap i rëndësishëm për jetën time në të ardhmen dhe karrierën e sportit. Ishte vendim kulminant sepse unë duhet të mendoja se çfarë hapa të ndërmerrja për të ardhmen time. Kështu vendosa të kontaktoja me trajnerin Taulant Stërmasin, i cili ishte trajneri më i mirë dhe rekordmen shqiptar. Ai më pranoi më pak vështirësi. Kështu fillova të punoja shumë dhe të bëja çdo gjë që më thoshte ai dhe pas kësaj fillova të ecja me hapa shumë të mëdhenj, duke thyer rekorde që kishin 28 vite që nuk thyheshin dhe cilësoheshin si të vështira në fushën e atlektikës.
InLajmi: Përveç rekordeve të tjera të arritura, së fundi jeni shpallur kampione e Evropës në atletikë. Si ndiheni për këtë sukses të arritur?
Luiza Gega: Pas shumë sfidash dhe një rrugëtimi jo të lehtë arrita të shpallesha kampione e Evropës në atletikë. Rrugëtimi im ka pasur shumë sfida, shumë lodhje dhe shumë mund, por ka pasur edhe momente që jam dëmtuar, por gjithmonë kam vendosur të mos heq dorë.
Jam përpjekur fort që ta ushqej veten me idenë që mund të ia dal, por edhe t’ia shpërblej mundin edhe prindërve të mi, që sakrifikuan shumë për mua dhe doja me patjetër t’i bëj ata të ndihen krenarë për mua. Doja gjithashtu që të krijoja një jetë financiare të mirë dhe të isha e pavaruar. Këto synime më bën që unë të punoj fort, me qëllim që të arrij diçka.
InLajmi: Që prej shpalljes kampione e Evropës në atletikë, sa ka ndryshuar jeta juaj?
Luiza Gega: Për mua si individ gjërat nuk kanë ndryshuar. Unë jam po e njëjta, thjesht ndihem më e plotësuar sa i përket karrierës sime sportive.
InLajmi: Keni përfaqësuar Shqipërinë dhe keni bërë krenarë shumë shqiptarë me sukseset e arritura, por sa ju ka përkrahur Shqipëria apo institucionet përgjithësisht gjatë rrugëtimit tuaj?
Luiza Gega: 4 vitet e fundit që unë flas për shqetësimet e atletikëve, gjërat filluan të ndryshonin sa i përket mbështetjes financiare. I pari ishte kryetari Erion Veliaj, i cili filloi të mbështeste sportistët elitarë, duke e bërë edhe më të lehtë rrugëtimin tonë, e patjetër edhe rrugëtimin tim për t’u shpallur kampione e Evropës. Tashmë jemi me ligj kolonel honorifik, po paguhemi si të tillë, pra kemi një mbështetje financiare më të mirë dhe kjo padyshim na motivon për të arritur rezultate më të larta. Nga ana tjetër jemi edhe më të qetë psikologjikisht sepse kjo pagesë do të vazhdojë gjer në pikën e daljes në pension, kështu që ne do ta kemi më të lehtë pensionimin pas mbylljes së karrierës dhe kjo sigurisht është një arritje e madhe sepse gjithë jetën po ia dedikojmë sportit, prandaj do të ishte shumë e vështirë t’ia nisje nga zero pas përmbylljes së karrierës.
InLajmi: A e keni menduar ndonjëherë karrierën larg Shqipërisë?
Luiza Gega: Para shumë vitesh kam pasur shumë oferta nga Azerbajxhani, Turqia dhe vendet e tjera, por asnjëherë s’e kam parë veten time të largohem dhe për këtë jam shumë e lumtur dhe e plotësuar, pasi dashurinë dhe krenarinë e madhe nuk do të ma kishte dhënë asnjë vend tjetër pavarësisht se mund të kisha një jetë më të mirë financiare. Gjithmonë kam besuar se do të vijë një ditë që gjërat do të ndryshonin dhe mbështetja do të ishte më e madhe. Gjithashtu besoja se do të vinte dita, që shteti do ta kuptonte se sporti përveç të mirave që sjell, qoftë dhe krenarisë kombëtare, nuk sjell asgjë të keqe. Kam luftuar fort, që gjërat të fillonin të ndryshonin edhe në Shqipëri, si në gjithë vendet e tjera të botës, ku sportin e kanë një nga pikat më kryesore për zhvillimin e vendit.
InLajmi: Për fund, na thoni cilat janë planet e juaja për të ardhmen. A synoni të thyeni edhe një rekord të ri në atlektikë?
Luiza Gega: Objektivi im më madhor është pjesëmarrja në Lojërat Olimpike në Paris në vitin 2024. Arsyeja pse vazhdova është se vërtet mendoj që kam ende potencial për të arritur më lart. Ende nuk i kam arritur limitet e mia, prandaj kjo është arsyeja pse vendosa që edhe këto 2 vite të mundohem fort për të marrë një kujtim shumë të bukur nga Lojërat Olimpike. Kam vërtet besim që mund t’ia dal, stërvitja po shkon shumë mirë, kështu që ky është objektivi më i madh afatgjatë. Përveç kësaj, këtë vit kam edhe Kampionatin Botëror, për të cilin po stërvitem në Korçë, por sfidues po është moti i ftohtë, pasi po na vështirëson stërvitjet dhe hapjen e sezonit ashtu siç duhet, por gjithsesi pjesa tjetër po shkon shumë mirë, kështu që unë vërtetë kam besim që do të arrij edhe rekorde të tjera. Shqipe Vishaj /InLajmi/