Ajo mund të konsiderohet si një nga femrat më të bukura në Hollywood, por kjo nuk do të thotë se ajo ndihet e tillë.
Megan Fox, aktorja e njohur e “Transformers”, ka pozuar së fundmi për kopertinën e revistës “Sports Illustrated”, ku ndër të tjera ka zbuluar se nuk e ka dashur kurrë trupin e saj dhe se vuan nga çrregullimi trupor dismorfik.
“Unë kurrë nuk e shoh veten ashtu siç më shohin të tjerët. Nuk ka pasur një moment në jetën time që ta kam dashur trupin tim. Kurrë, kurrë”, tha ajo.
Kjo nuk është hera e parë që Fox flet hapur për problemet me trupin.
Në një intervistë të përbashkët me Machine Gun Kelly në “British GQ Style” në tetor të vitit 2021, ajo tha: “Unë kam shumë pasiguri të thella. Mendoj se ose e futa veten, ose i lejova njerëzit e tjerë të më fusin në këtë kuti të çuditshme që nuk më përshtatet, aty ku nuk e kisha jetuar jetën time si vetja për një kohë të gjatë, shkruan Anabel Magazine.

Trupi im dukej sikur i përkiste familjes sime, apo Hollywood-it.”