Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kujtuar vrasjen nga forcat serbe të Bajram Kelmendit bashkë me Kastriotin dhe Kushtrimin në ditën kur NATO vendosi t’i japë fund regjimit gjeoncidal të Millosheviqit, përcjell InLajmi.
Osmani tha se ekzekutimi i avoktatit Kelmendi dhe djemve të tij ishte planifikuar dhe ishte shpërfaqje e egërsisë së regjimit kriminal serb në kohën kur liria e Kosovës nisi të dukej në horizont.
Njoftimi i plotë i Presidencës së Kosovës:
Presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar avokatin Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin.
Deklarata e plotë e Presidentes:
Në ditën kur NATO vendosi t’i japë fund regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit me fillimin e sulmeve ajrore, avokati Bajram Kelmendi dhe 2 djemtë e tij, Kastrioti dhe Kushtrimi u rrëmbyen nga forcat serbe dhe u ekzekutuan në mënyrë barbare.
Ekzekutimi i avokatit Kelmendi dhe djemve të tij ishte i planifikuar dhe shpërfaqje e egërsisë së regjimit kriminal serb në kohën kur liria jonë nisi të dukej në horizont.
Do ta kujtojmë avokatin Kelmendi për angazhimin e palodhshëm në fushën e drejtësisë dhe nuk do të ndalojmë asnjëherë që vrasësit e tij dhe të dy djemve të vihen para drejtësisë.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për avokatin dhe bijtë e tij! /InLajmi/