Në rast se Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – nuk merr pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme, më 23 prill, për kryetar të 4 komunave në veri të Kosovës, rezultati i zgjedhjeve mund të jetë legal, por me legjitimitet të kontestuar, vlerësojnë përfaqësues politikë të serbëve dhe njohës të proceseve zgjedhore dhe politike.
Megjithatë, ata thonë se pritjet që Lista Serbe e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar të marrë pjesë në zgjedhje janë reale, në dritën e zhvillimeve të fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, si dhe pajtimit në parim të palëve me propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve.
Autoritetet e Kosovës thonë se do të ofrojnë të gjitha kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike në të 4 komunat në veri të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e 4 komunave në veri të vendit, si dhe për kuvende komunale në Leposaviq dhe Zveçan, të cilat ishin shpallur të mbaheshin më 18 dhjetor të vitit të kaluar, janë shtyrë me vendimin e presidentes Vjosa Osmani, pas kërkesave të partnerëve perëndimorë.
Asokohe, për zgjedhjet për kryetarë të komunave ishin certifikuar 11 kandidatë nga 4 subjekte politike, prej të cilave vetëm dy kandidatë ishin nga radhët e komunitetit serb. Gjithashtu, për garën për kuvendet komunale të Leposaviqit dhe Zveçanit ishin certifikuar 64 kandidatë nga 3 subjekte politike, shkruan REL.

Lista Serbe kishte refuzuar të merrte pjesë në këto zgjedhje. Ky ishte paralajmërim se edhe votuesit serbë nuk do t’i përgjigjeshin pjesëmarrjes në votim.