Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur këtë të mërkurë ka shqyrtuar propozimin për themelimin e strukturave për hartimin e Strategjisë Kundër Korrupsionit, raporton InLajmi.
Kryeministri i vendit Albin Kurti, theksoi se Qeveria e Kosovës e ka filluar mandatin duke luftuar korrupsionin dhe krimin.
“Mandatin tonë qeverisës e kemi filluar duke qëndruar afër me qytetarët dhe duke luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar përmes politikave të drejta e të guximshme të qeverisjes me duar të pastra”.
Gjithashtu Kurti tha se këto rezultate pozitive të luftimit të korrupsionit i ka konfirmuar edhe “Transparence internacional”.
“Rezultatet tona i ka konfirmuar edhe “Transparence internacional” me indeksin e perceptimit të korrupsionit ku Republika e Kosovës ka shënuar progres për 20 vende në dy vitet e fundit. Me të njëjtin ritëm do të vazhdojmë”, tha Kurti.
Kryeministri njoftoi se do të formohet edhe komisioni ministror.
“Ky komision do të udhëheqet nga ministri i Financave, Hekuran Murati me ministrat anëtarë: Albulena Haxhiu, Xhelal Sveçla dhe Artane Rizvanolli. Bashkë do të haratojnë planin e veprimit deri në dhjetor ndërsa në qeveri do të votohet në fund të vitit”, tha Kurti. /InLajmi/