Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, u bëri thirrje fuqive perëndimore që të mos i bëjnë presion vendit të tij të vogël ballkanik për të pranuar një Asociacion të 5 komunave me shumicë serbe që po rrit tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, transmeton InLajmi.
Kurti tha se Qeveria e Serbisë duhet të njohë pavarësinë e Kosovës.
Gjithashtu ai theksoi se Beogradi duhet të anojë më shumë drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s, e jo Rusisë.
Gjatë javëve të fundit, të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së kanë vizituar Prishtinën dhe Beogradin për t’i inkurajuar ata të pranojnë një propozim të ri për të 2 vendet për të normalizuar marrëdhëniet dhe për të rritur ofertat e tyre për anëtarësim në BE.
Një dialog Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga BE-ja ka vazhduar që nga viti 2011, por pak nga 33 marrëveshjet e nënshkruara janë zbatuar.
Shtetet e Bashkuara kanë rritur presionin ndaj Prishtinës për të zbatuar një marrëveshje të vitit 2013 për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e cila do të koordinonte punën në arsim, kujdes shëndetësor, planifikim të tokës dhe zhvillimin ekonomik në nivel lokal. Në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës më vonë shpalli një pjesë të planit jokushtetues, duke vendosur se ai nuk përfshinte etni të tjera dhe mund të përfshinte përdorimin e pushtetit ekzekutiv.
Kurti thotë se themelimi i Asociacionit nuk është prioriteti i tij dhe javën e kaluar ai vendosi kushte duke thënë se ajo mund të formohet vetëm si pjesë e një marrëveshjeje të përgjithshme për normalizimin e marrëdhënieve, të cilën Serbia e ka refuzuar në të kaluarën, shkruan Associated Press.
“Fuqitë perëndimore duhet të mësojnë nga shembulli i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, duke shprehur frikën se një asociacion do të krijonte një situate të minuar në Kosovë”, tha Kurti, duke shtuar se Beogradi e ka përdorur çështjen e themelimit të Asociacionit si “armë kundër pavarësisë sonë”. /InLajmi/