Kryeministri Kurti pas takimit me të dërguarin e BE-së Miroslav Lajçak deklaroi se Kosova pranon propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përcjell InLajmi.
Për këtë deklaratë të Kurtit reagoi lideri i PDK-së Memli Krasniqi i cili tha se Kurti pranoi planin franko-gjerman pa i shpjeguar qytetarëve se çka përmban ai propozim.
Tutje Krasniqi tha se PDK-ja i ka bërë të qarta kohë më parë 5 shtyllat që i presim nga marrëveshja potenciale me Serbinë
Postimi i plotë i tij:
Kryeministri Kurti sot deklaroi se e ka pranuar propozimin Franko-Gjerman, pa shpjeguar asnjëherë për qytetarët e Republikës së Kosovës se çka përmban ai propozim. Kështu, ai i dha drejtim një marrëveshjeje në fshehtësi, pa asnjë transparencë, duke lënë shumë pyetje pa përgjigje të cilat i brengosin qytetarët tanë.

Ku mbetën kushtet e tij? Cilat prej tyre u plotësuan e cilat jo? A janë përfshirë në këtë plan edhe kushtet e Serbisë? A është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe a është pjesë e saj edhe themelimi i Asociacionit? Mbi të gjitha, a e përfshinë kjo marrëveshje njohjen e ndërsjellë?
PDK i ka bërë të qarta kohë më parë pesë shtyllat që i presim nga marrëveshja potenciale me Serbinë. Gjithçka më pak është humbje e madhe për Kosovën, për të cilën, përgjegjës i vetëm do të jetë Albin Kurti. /InLajmi/