Inflacioni do të jetë një nga problematikat kryesore me të cilat Kosova do të vazhdojë të përballet edhe në vitin 2023, thonë njohës të çështjeve ekonomike.
Megjithatë, ata presin që trendi i rritjes të jetë më i ngadalshëm se në vitin 2022, ndërsa në gjysmën e 2-të të vitit të shënojë rënie. Një arsye për këtë optimizëm është stabilizimi i zinxhirit të furnizimeve.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma mesatare vjetore e inflacionit në vend, për vitin 2022, ka qenë 11.6%
Në muajin dhjetor, ajo ka arritur në 12.1%
Këto shifra janë të larta, thotë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna. Por, sipas tij, këtë inflacion nuk e kanë krijuar bizneset në Kosovë – ato e kanë importuar atë pasi kanë blerë me çmime më të larta, qoftë lëndë të parë, gjysmë-produkte apo produkte finale.
“Ky inflacion në Kosovë është dyshifror dhe është shumë i lartë. Në qoftë se hyjmë në strukturën e inflacionit, ne shohim se produktet ushqimore kanë dominuar dhe kanë shkuar me ngritje të çmimeve deri në 40 % ose ka raste edhe deri në 50% . Kjo ka qenë shumë shqetësuese për këtë vit [2022]”.
“Për sa i përket vitit 2023, unë jam më optimist – sidomos në gjysmën e 2-të të vitit, e mbase edhe nga muaji prill ose maj të nisë të bjerë inflacioni, e po ashtu edhe çmimet”, thotë Rafuna.
Një vit luftë me inflacionin: Cilat janë parashikimet për 2023-shin?
Rritja e çmimeve në Kosovë, por edhe gjetiu në botë ka nisur nga fundi i vitit 2021, për shkak të çrregullimeve në tregje që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit. Rritja ka vazhduar me ritëm më të shpejtë nga shkurti i vitit të kaluar, kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës.
Rritje kanë pësuar pothuajse të gjitha produktet e shërbimet në Kosovë – nga buka e mielli deri te rryma e patundshmëritë. Paga mesatare në vend është rreth 480 euro, ndërsa ajo minimale sillet nga 130 në 170 euro.
Berim Ramosaj, profesor i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se edhe gjatë vitit 2023, Kosova do të përballet me inflacion, por trendi i rritjes do të jetë më i ngadalshëm.
Ai vlerëson se inflacioni do të mund të futet në korniza të kontrollueshme vetëm pas një ose 2 vjetësh.
Por, për të pasur një pasqyrë reale lidhur me inflacionin në Kosovë, nuk duhet bazuar vetëm në çmimet e ngritura të produkteve bazike për qytetarët, por edhe te sasia e parave në qarkullim, thotë Ramosaj.
Ai thekson se Banka Qendrore e Kosovës nuk e ka të drejtën e kontrollimit të sasisë së parave që janë në qarkullim, sepse, pavarësisht se në Kosovë monedhë zyrtare është euroja, vendi nuk është pjesë e Eurozonës dhe, rrjedhimisht, nuk e gëzon të drejtën e vendimmarrjes për sasinë e parave në qarkullim.
“Ne do të jemi në trend të rritjes ose të rritjes më të ngadalshme të inflacionit, ngjashëm sikurse vendet e tjera në rajon. Por, te ne reflekton më shumë. Ka vende ku inflacioni e stimulon zhvillimin, ngase është një lloj përshpejtuesi në kuptimin e rritjes së sasisë së parave, rritjes së kërkesës, rritjes ekonomike… Te ne, refleksionet nuk janë aq pozitive, duke marrë parasysh se bilanci tregtar i Kosovës është mjaft i papërshtatshëm, në kuptimin e raportit eksport-import”, thotë Ramosaj
“Të rriten formaliteti dhe kursimet bankare”
Profesori Ramosaj thotë se ekzistojnë një mori masash që mund të ndikojnë në zbutjen e inflacionit, por, sipas tij, Kosova duhet t’iu qaset atyre që mund të jenë të zbatueshme për të.
Punëtor në një verari në Rahovec, shtator 2020 – Fotografi ilustruese.
Vende të reja pune apo regjistrim i punëtorëve të vjetër?
Sipas tij, Qeveria e Kosovës, mes tjerash, duhet t’iu qaset politikave të taksave dhe politikave të rritjes ekonomike, duke u bazuar në stimulimin e sektorëve të caktuar, që kanë efekt të drejtpërdrejtë në rritje ekonomike.
Hyrja e parave përmes kanaleve joformale në Kosovë, thotë Ramosaj, e pengon zbutjen e inflacionit.
“Zvogëlimi i këtyre sektorëve joformalë, respektivisht rritja e formalitetit në përgjithësi në biznes, është faktor që mund të japë rezultate. Së 2-ti, nëse ka aq aftësi Qeveria e Kosovës që t’i rrisë normat e interesit për kredi dhe, në njëfarë mënyre, ta bëjë atraktiv konceptin e kursimeve… Ka mundësi që një pjesë e madhe e mjeteve të lira të qytetarëve të shkojnë nëpër banka, të kursehen dhe ato nuk krijojnë kërkesë të re në treg. Kjo ka efekt kundër inflacionit, menjëherë”, thotë Ramosaj.
Ai shton se këto janë masa kozmetike, por që mund të ndikojnë në zbutjen e inflacionit.
Ku mbeti kontrolli mbi çmime?
Komunat pa investime kapitale, bizneset pa punë
Sipas një dokumenti të publikuar në tetor të vitit 2022 nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, shkalla e inflacionit për çmimet mesatare për konsumatorë në Kosovë ka qenë 125|, në Maqedoninë e Veriut ka qenë 10.6 për qind, në Shqipëri 6.2 për qind, në Mal të Zi 12.8 për qind, në Serbi 11.5 për qind, në Bosnje e Hercegovinë 10.5 për qind dhe në Kroaci 9.8 për qind.
Sipas Bankës Botërore, në vitin 2021, Kosova shënoi rritje ekonomike prej 10.5% , ndërsa në vitin 2022, rritja ekonomike nuk ishte më shumë se 3.1% . Për vitin 2023, Banka Botërore parasheh që rritja ekonomike në Kosovë të jetë ndërmjet 3 dhe 4 % , shkruan REL.
Banka Qendrore e Kosovës ka paraparë që inflacioni në vitin 2023 të jetë rreth 6.2 %..