Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka nënshkruar një vendim të ri që rregullon çmimet dhe vendos masa mbrojtëse për produktet e naftës, të përdorshme në transport. Vendimi ka për qëllim të trajtojë variacionet e çmimeve të produkteve të naftës dhe të sigurojë mbrojtjen e konsumatorëve në tregun vendor.
Në njoftimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), bëhet e ditur se ky vendim është pasojë e mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, e cila ka evidentuar se ndryshimet e çmimeve furnizuese nga importi shpesh reflektohen në rritje të çmimeve të shitjes, por jo gjithmonë ndodh një rënie e ngjashme kur çmimet furnizuese bien.
Sipas vendimit të ri, është përcaktuar një marzhë tregtare maksimale e lejuar për shitjen me shumicë prej 2 eurocentë për litër, dhe për shitjen me pakicë 12 eurocentë për litër. Aktualisht, çmimet e Dieselit luhaten mes 1.19 dhe 1.25 euro për litër, ndërsa ato të Benzinës variojnë mes 1.19 dhe 1.23 euro për litër, përcjell Sinjali.
Megjithatë, këto çmime nuk janë në përputhje me interesat e operatorëve të tregut të naftës, të cilët kanë shprehur shqetësime për ndikimin e vendimit në aktivitetet e tyre.