Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla tha se Kosova në asnjë mënyrë nuk duhet t`i pranojë kushtëzimet asimetrike dhe të pafundme të Serbisë dhe Bashkimit Evropian, përcjell InLajmi.
Ajo tha se Lista Serbe po i ndihmon Vuçiqit duke i bojkotuar zgjedhjet në veri, e kjo i jep mundësi pastaj presidentit serb që të kushtëzojë edhe pjesëmarrjen në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Haradinaj-Stublla shtoi se Kurti urgjentisht duhet të udhëtojë për në SHBA për koordinim dhe konsultim, por paraprakisht duhet të dakordohet me opozitën vendase që të mos shtyhet procesi i dialogut.
Postimi i plotë i saj:
KOSOVA TË MOS PRANOJË KUSHTËZIMET ASIMETRIKE E TË PAFUNDME TË VUÇIQIT E BE-së!
Dhe po pra, Lista Serbe bojkoton zgjedhjet në komunat veriore të Kosovës, që pastaj përmes Vuçiqit të kushtëzojë sërish pjesëmarrjen e tij në dialog me shtyrjen e zgjedhjeve, ashtu siç bënë duke kushtëzuar me legjitimimin e targave të Millosheviqit në veriun e Republikës së Kosovës.
Dhe natyrisht, formati i i BE-së i dialogut asimetrik, pa parime, pa afate, dhe pa qëllim final – qartazi do të tolerojë edhe shumë e shumë kushtëzime të tjera të Vuçiqit.
Kryeministri urgjentisht t’i ftojë opozitën, të deklarohen njëzëri se zgjedhjet NUK shtyhen, dhe se dialogu duhet të vazhdojë pa humbur kohë me këso tentime dëshpëruese për fabrikimin e krizave artificiale.
Poashtu, KM duhet të udhëtojë me urgjencë në SHBA, për konsultim, koordinim, dhe argumentim për rol vendimtar amerikan në definimin dhe përfundimin e këtij dialogu. /InLajmi/